PRISHTINE, 28 mars 2013- Prej 5 ditësh kamionë me miell të kompanisë M-Sillos janë të bllokuar në kufi, duke mos u lejuar të futen në Shqipëri. Kjo bllokadë ka ardhur disa javë pas bllokadës që i ka bërë Kosova qumështit të Shqipërisë, për shkak të alfatoksinës, shkruajnë mediat kosovare. 

Të njëjtin arsyetim si për alfatoksinën e qumështit është duke e bërë Shqipëria për miellin nga Kosova, duke mos e lejuar të futet mielli pa u bërë fillimisht analizat. Por, pronarët e M-Sillosit bëjnë të ditur se tre herë me radhë iu kanë dërguar analizat për t’iu dëshmuar se gjithçka është në rregull. 

“Iu kemi dërguar analizat që janë kryer si nga ne ashtu edhe nga AUVK, mirëpo nuk i kanë pranuar. Tre ditë u kemi dërguar 3 palë analiza, tek të martën i kanë dërguar mostrat për analiza në Tiranë, tani edhe një javë nuk kthehen”, ka thënë drejtori gjeneral i M-Sillos-it, Gerald Vilflingseder, citon e përditshmja kosovare ‘Zëri’. 

Ai bën të ditur se këto bllokada të paarsyeshme janë duke i shkaktuar humbje të mëdha kompanisë. Ai konsideron se arsyet e bllokadës janë politike, duke marrë parasysh se analizat i dëshmojnë se gjithçka është në rregull. Autoritetet shqiptare kur e kanë parë se me analiza janë në rregull, ata tani kanë kërkuar që në secilin thes të vendosen edhe disa kode. 

“Kjo është e pakuptimtë, ata i kanë kërkuar disa kode, ato kode nuk po përputhen me kode të Kosovës, por duhet t’ia vendosim kodet e Shqipërisë. Pastaj po i kërkojnë që secilin thes të kenë nga një numër “llok 20”, “llok 24” dhe “llok 30”, që nuk po përputhet në asnjë mënyrë me marrëveshjen Kosovë-Shqipëri”, ka thënë Vlflingseder. 

”Mirëpo, kjo më shumë po duket si një bllokadë për arsye politike sesa për ndonjë arsye me bazë ligjore”, ka thënë ai. 

AKU: MIELLI S’ËSHTË SHOQËRUAR ME ANALIZËN PËR AFLATOKSINËN 

Autoriteti i Kontrollit Ushqimor na Tiranë ka konfirmuar bllokimin e 75 kuintal miell të ardhur nga Kosova. Sipas AKU, mielli nbuk është i shoqëruar me analizën e aflatoksinës , e cila kërkohet me urdhër të Ministrit të Bujqësisë. 

DOGANAT: KJO NUK ËSHTË ÇËSHTJE E JONA

Autoritetet doganore kosovare kanë thënë se kjo tashmë nuk është çështje e doganës, pasi që procedurat doganore të gjitha janë kryer dhe se arsyet janë tjera. “Mielli është ndalur për arsye të dyshimit për alfatoksinë, procedurat doganore janë përfunduar dhe kjo tashmë nuk është çështje e doganave. Mielli aktualisht është në Kukës, dhe për procedura të mëtejshme tani duhet të merren agjencitë përkatëse të ushqimit”, ka thënë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës. 

Për një bllokadë të tillë nuk është njoftuar ende Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. “Nuk jemi të njoftuar, nuk kemi asgjë zyrtare deri më tani”, ka thënë Arta Istrefi, këshilltare për media e ministres Mimoza Kusari-Lila. 

Ndërsa zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës, kanë thënë se që nga momenti që janë njoftuar për një bllokadë të tillë, ata kanë filluar me bërjen e analizave dhe më pas t’ua bashkëngjisin dokumentin lëndës së eksportit. Zëdhënësi i AUVK, Lamir Thaçi ka thënë se është e drejtë e autoriteteve të Shqipërisë, të kërkojnë dokumenta mbi mallin që hyn. 

“Kjo masë është politikë e tyre e kontrollit të cilën ata besoi se e kanë arsyetuar. Është e drejtë e tyre që në kohë të caktuar për produkte të caktuara të kërkojnë dokumente apo rezultatet laboratorike për parametra të caktuar”, ka thënë Thaçi. 

Sa i përket asaj se pse AUVK nuk i pajis me dokumente të analizave kompanive që iu nënshtrohen analizave të tilla, Thaçi ka thënë se analizat që kërkojnë AUVK për import të grurit në Kosovë janë të ndryshme nga analizat që kërkojnë Shqipëria. “Dokumente të tilla nuk na janë kërkuar deri më sot nga asnjë autoritet tjetër, ne jemi duke vazhduar të punojmë sipas kërkesave të vendeve importuese”, ka thënë ai. 

Sasia e miellit që eksportohet në Shqipëri çdo muaj nga kjo kompani sipas tyre është afër 2 mijë ton. Ndryshe Kosova para disa ditësh, bllokoi qumështin që hynte nga Shqipëria për arsye të aflatoksinës. Autoritetet nga Shqipëria e quajtën politike një bllokim të tillë.