Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar ftesën e Presidentit Donald Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si një nga anëtaret themeluese të këtij trupi, njësoj si Shqipëria.
Në një postim në rrjetet sociale, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e kësaj ftese dhe përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në ndërtimin e paqes globale.
Ajo shkruan: “Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt.🇽🇰🇺🇸
Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike.
Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej.
Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”.





