Në pesë vitet e fundit, 857 mjekë janë larguar nga Shqipëria, kryesisht drejt Gjermanisë, por jo vetëm, për arsye që lidhen me pagat e ulëta, denigrimin e figurës së mjekut, krizën e besimit të publikuar ndaj tyre, që ka degraduar deri në dhunë, braktisjen nga ana e institucioneve përballë kësaj dhune, mbingarkesën në punë, mungesën e pajisjeve dhe një mbrojtje më e mirë ligjore.

Reagimi i Qeverisë ndaj kësaj situate, ka qenë deri tani, një deklarim për ashpërsim të masave në Kodin Penal në lidhje me këtë dhunë ndaj mjekëve dhe asgjë më tepër, pa u futur fare në thelbin e problemit e masat që do të duhet të merren për të zgjidhur atë. E gjendur në pak a shumë të njëjtën situatë, Qeveria e Kosovës dyfishoi pagat e trupës shëndetësore këtë vit, si një masë parësore, për të frenuar largimin e mjekëve. Pra, tashmë në Kosovë mjekët marrin paga mbi 2-3 herë më të larta se në Shqipëri, për të njëjtin rol në sistemin e shëndetësisë. Rezultati që prekim çdo ditë e më shumë në realitetin tonë shëndetësor është se ndërsa tregu europian po rrit kërkesën për mjekë, sistemi shëndetësor shqiptar po zbrazet jo vetëm nga diferenca në paga midis Shqipërisë e Bashkimit Europian, por edhe nga mungesa e trajtimit të problemeve që e nxisin këtë eksod të bluzave të bardha.

Sistemi shëndetësor në Shqipëri është duke përjetuar një krizë të thellë besimi te trupa e mjekëve, e cila kohët e fundit ka shpërthyer në dhunë fizike ndaj tyre. Ky perceptim u vërtetua pak ditë më parë nga Indeksi Europian i Shëndetit (ECHI), i cili e renditi Shqipërinë në zonën e kuqe në hartën e Europës dhe të fundit në listë për vitin 2018, si vend me problematikë të lartë në sektorin e shëndetësisë. Indeksi vë në dukje se Shqipëria ka burime shumë të kufizuara të kujdesit shëndetësor, për rrjedhojë ka barrën e sëmundjeve më të lartën në rajon dhe numrin më të ulët të mjekëve për banorë. Por prisni, më e keqja ende nuk ka kaluar.

Punonjësit e shëndetësisë janë duke u larguar masivisht nga vendi, teksa stafet aktuale mjekësore në sistemin e shëndetësisë po plaken dhe perspektiva e zëvendësimit është e zymtë. Pagat në sektorin e shëndetësisë po rrinë në vendnumëro dhe eficenca e përdorimit të fondeve publike është cenuar nga disa koncesione të paprecedentë që thithin fonde kritike që do të mund të përdoreshin për një reformë të pagave të sistemit, kurse nevojat për shërbime të kujdesit ndaj shëndetit janë gjithnjë e në rritje, për shkak se popullsia e vendit po shkon drejt plakjes me hapa të shpejtë.

Me masat e marra së fundmi nga Qeveria Haradinaj, rrezikon që edhe Kosova të kthehet në një qendër graviteti për mjekët shqiptarë pasi, qeveria atje dyfishoi pagat për sektorin e shëndetësisë duke paguar me rreth 1.200 euro një mjek specialist dhe mbi 500 euro një infermier. Albatrit Matoshi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë në Kosovë tha për Monitor se, rritja e pagave ndaj personelit mjekësor, u aplikua për të frenuar emigrimin e trupës shëndetësore drejt Gjermanisë. Ai tha se, pas rritjes së pagave, largimi i mjekëve është frenuar dhe tani Kosova renditet ndër vendet e para në rajon për nivelin e lartë të pagave në sektorin e shëndetësisë. http://www.monitor.al/pagat-u-rriten-per-te-frenuar-ikjen-e-mjekeve-ne-gjermani-2/

Hendeku i pagave, Kosova ofron gati tre herë më shumë se Shqipëria për mjekët

Një mjek specialist në Shqipëri në shërbimin spitalor paguhet me pagë neto rreth 527 euro. Në shërbimin parësor shëndetësor, paga neto është 408 euro sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Ndërsa në Kosovë, që nga ky vit, një mjek specialist në spital dhe në qendrat e kujdesit shëndetësor paguhet me pagë neto 1195 euro në muaj. Një mjek specialist në Kosovë merr 2.5 herë më shumë se një mjek nga Shqipëria. Rritja e pagave në Kosovë mund ta shndërrojë atë në një qendër të re graviteti për mjekët shqiptarë, të cilët për shkak të afërsisë gjeografike, mund të zgjedhin Kosovën për të ushtruar profesionin e tyre.

Me rritjen e fundit të pagave që Kosova ka aplikuar në fushën e mjekësisë, një infermier i parë në Kosovë merr pagë më të lartë se një mjek specialist në Shqipëri. Paga e një kryeinfermieri në Kosovë është 621 euro, ndërsa paga e një infermieri në spital, 537 euro. Vendet në rajon kanë gjithashtu paga më të larta se Shqipëria në sektorin e shëndetësisë. Burimet zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë pohuan se vetëm në 2 vitet e fundit (2017-2019) qeveria ka ndërmarrë rritjen më të madhe të pagave në sektorin e shëndetësisë me 17%.

Të njëjtat burime sqarojnë se për disa shërbime si Urgjenca, Reanimacioni etj., pagat për mjekët janë rritur deri në 25% vetëm në 2 vitet e fundit. Ministria e Shëndetësisë lajmëron se, duke filluar nga muaji prill, nis rritja e pagave me 7% të 18,416 punonjësve të shëndetësisë, nga e cila do të përfitojnë 4,650 mjekë dhe 13,765 infermierë, me një buxhet mbi 1 mld lekë. Ndërkohë është dyfishuar masa e bonusit për mjekët specialistë që japin shërbim në spitalet rajonale. Por duket se Kosova po tregohet më e qartë në politikat e saj kundër emigrimit të mjekëve.

Pagat u dyfishuan pikërisht për këtë arsye dhe fokusi është vënë në përmirësimin e infrastrukturës spitalore, duke investuar në pajisje dhe teknologji, tha Matoshi nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës. Autoritetet e shëndetësisë në Kosovë nuk i shohin koncesionet me Partneritet Publik – Privat si një formë për të përmirësuar situatën si në shërbime dhe në investime.

Pagat në mjekësi, 13% nën mesataren e pagave në shtet

Qeveritë shqiptare, ndër vite, i kanë lënë një derë të hapur korrupsionit në shëndetësi, duke mos i rritur pagat e mjekëve me të njëjtat nivele me sektorin publik. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, paga mesatare mujore bruto në sektorin e shëndetësisë ishte 54,058 lekë në vitin 2018. Paga mesatare mujore bruto në sektorin shtetëror gjatë vitit të kaluar ishte 61,023 lekë. Përllogaritjet tregojnë se paga mesatare në sektorin e shëndetësisë në vitin 2018 ishte 12.8% më e ulët se në sektorin publik.

Politikëbërësit duket se i kanë marrë në konsideratë pagesat jo të ligjshme nga qytetarët për shërbimet shëndetësore, përderisa e kanë lënë pagën e mjekëve nën mesataren e sektorit publik, ndaj edhe më të ulëta se në arsim. Paga mesatare në sektorin e arsimit ishte 61,405 lekë në vitin 2018, ose 11.9% më e lartë se paga mesatare në sektorin e shëndetësisë referuar të dhënave zyrtare nga INSTAT. Pagat në sektorin shëndetësor panë një rritje të fortë pas vitit 2005. Por ndërkohë një shtet harxhon më shumë për “prodhimin” e një mjeku se sa të një mësuesi.

Përgatitja e një mjeku specialist, sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kërkon 10 vite kohë. Kjo vlen edhe për Shqipërinë, ku një mjek specialist ka përafërsisht 9-10 vite shkollim, nga ku 6 vite i përkasin studimeve të larta dhe 3-4 vite specializimit në varësi të fushës. Ndërsa përgatitja e një mësuesi kërkon gjysmën e viteve të një mjeku, rreth 5 vite, 3 për studime bachelor dhe 2 vite studime master.

Pagat e ulëta, shkak kryesor për mërgimin e mjekëve

Paga mesatare bruto e një mjeku emigrant specialist në Europë është rreth 160 mijë euro në vit, (13 mijë euro në muaj) ndërsa paga e një mjeku vendas atje është gati 30% më e lartë, sipas studimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Niveli i pagave varion nga 4 mijë euro në muaj për një mjek të përgjithshëm pa përvojë në mbi 20 mijë euro ose edhe më shumë për mjekët e specialiteteve.

Punonjësit e shëndetësisë futen në profesionet me tendencë të lartë të emigrimit, për shkak se niveli i pagave dhe kushteve të punës ka ndryshime drastike nga vendi në vend. Sipas një ankete që u zhvillua vitin e kaluar me financimet e Institutit Friedrich Ebert, rreth 78% e mjekëve shqiptarë dëshirojnë të emigrojnë drejt Gjermanisë për të ushtruar profesionin e tyre. Një anketë e bërë në të gjithë mjekët vendas në Gjermani dy vite më parë evidentoi se, 30% e mjekëve kishin dëshirë të largoheshin për të punuar jashtë Gjermanisë, jo për pagë të lartë, por për kushte më të mira dhe një ambient më të ngrohtë në punë.

Mjekët gjermanë synonin të punonin në Zelandën e Re dhe Australi. Në Europë, Gjermania dhe Britania e madhe aktualisht po shfaqin kërkesën më të madhe për mjekë të huaj. Në Britani, kjo kërkesë po plotësohet nga indianët më së shumti, ndërsa në Gjermani po plotësohet nga vendet e Lindjes. Në vitin 2017, sipas statistikave zyrtare të OECD, në Gjermani u numëruan mbi 38 mijë mjekë të huaj. Furnizimet e Gjermanisë po bëhen nga blloku i Lindjes, kryesisht vendet e Ballkanit, Hungaria, Rumania, Bullgaria etj.

Në pesë vite, 875 mjekë u larguan nga vendi, ja të gjitha shkaqet

Nga viti 2013 deri në vitin 2018 janë larguar nga vendi 875 mjekë. Kjo shifër është kalkuluar nga numri i certifikatave të kërkuara pranë Urdhrit të Mjekut nga të larguarit. Vetëm në vitin 2018 janë larguar 164 mjekë dhe janë diplomuar mbi 250 nga Fakulteti i Mjekësisë.

Nga të dhënat shihet se janë larguar tre-katër “gjenerata” mjekësh të diplomuar. Nga statistikat evidentohet se largimet nisën të bëhen më të dukshme pas vitit 2014, ku ikjet e mjekëve specialistë ishin më shumë se 150 në vit mesatarisht.

Presidenti i Urdhrit të Mjekut, dr. Fatmir Brahimaj, tha se emigrimi i mjekëve është një fenomen që nuk njihet vetëm në Shqipëri, por është një tendencë e theksuar në të gjitha vendet e Europës Lindore dhe Juglindore. Ai tha se arsyet e largimit të mjekëve të evidentuara nga Urdhri i Mjekut janë për një vlerësim më të mirë material dhe moral, degradimi i figurës publike të Mjekut, kriza morale dhe e besimit të publikut që po vuajnë këtu, kushte më të mira kualifikimi; kushte më të mira pune (ngarkesë më të pakët në punë, teknologji të përparuar dhe mjete më të shumta dhe më të mira si në sferën diagnostike dhe në atë teraupetike.

Brahimaj vuri në dukje se më shumë se gjithçka, sektori publik i shëndetësisë po vuan nga një krizë morale dhe besimi nga shoqëria. Kjo krizë po shfaqet në format ekstreme të saj, siç ka qenë dhuna në rastet e fundit. Në harkun e një muaji u dhunuan rëndë tre mjekë, jeta e tyre u vu në rrezik teksa po ushtronin detyrën konform ligjit.

Shoqata Together for Life, e mbështetur financiarisht nga Friedrich Ebert Foundation Tirana, ka realizuar një studim në fund të vitit të kaluar ku ka marrë në pyetje 1000 mjekë, lidhur me shkaqet e largimit të tyre nga Shqipëria. Gjetjet e këtij studimi tregojnë se largimi i mjekëve mbetet një faktor shqetësues, i cili përjetohet nga 78% e mjekëve (24% e të cilëve janë gati për t’u larguar menjëherë, ndërkohë që 54% do të largoheshin po t’u jepej mundësia).

Studimi vëren se situata më problematike paraqitet në qendrat universitare, ku mjekët kanë edhe prirjen më të madhe për t’u larguar menjëherë nga vendi (54%), ndërkohë që më e ulëta është në spitalet bashkiake (megjithëse kampioni në këto spitale është më i vogël).
Vihet re një tendencë për largim e mjekëve me gradë shkencore, 40% e të cilëve e konsiderojnë të rëndësishëm largimin e tyre nga Shqipëria. Ndër shkaqet kryesore që i nxisin mjekët për t’u larguar në një vend tjetër janë: serioziteti në punë, mbështetja financiare, si dhe kushtet më të mira të punës.

Shumica e mjekëve ankohen se kanë mangësi në shërbime, 26% e të cilëve pretendojnë mungesa në të gjitha shërbimet dhe 60% në disa prej shërbimeve. Është shqetësues fakti se ata që ankohen më shumë për mungesa janë mjekët e spitaleve universitare, 56% e të cilëve pretendojnë mungesa në të gjitha shërbimet. Mjekët në vend ndihen të pakënaqur, të mbingarkuar me punë, të nënvlerësuar dhe të stresuar.

Sipas studimit, financimi i sistemit, mangësitë në menaxhimin e sistemit të shëndetësisë dhe mungesa e sigurisë financiare, rezultojnë të jenë shkaqet kryesore që ndikojnë në pakënaqësinë e mjekëve të gjinisë mashkullore. Ndërkohë, mjekët e gjinisë femërore konsiderojnë si më problematike financimin e sektorit të shëndetësisë dhe burokracitë e sistemit, si dhe mungesën e sigurisë financiare (pagat mujore). Në fakt, 71% e mjekëve ankohen për faktin se mjekët kritikohen më shumë sesa duhet në Shqipëri.

Arsyet ekonomike dhe profesionale zënë vendin e parë për mjekët për largimin e tyre nga Shqipëria. Vetëm 1% e mjekëve shprehen se largohen për arsye gjyqësore. Vihet re se numri i grave mjeke që duan të largohen për arsye ekonomike, profesionale dhe gjyqësore është më i lartë se ai i burrave. 50% e mjekëve mendojnë se e ardhmja në Shqipëri nuk është e sigurt.

Të pyetur se çfarë ndikon në pakënaqësinë e tyre ndaj sistemit shëndetësor (përgjigje me shumë alternativa), rezulton se 42% e mjekëve janë të pakënaqur nga financimi i sistemit, 37% të pakënaqur nga menaxhimi i dobët i sistemit, 36% të pakënaqur nga mungesa e sigurisë financiare dhe 33% e tyre janë të pakënaqur nga burokracitë e sistemit.

Kriza e besimit dhe dhuna janë shtuar

Një anketë e Urdhrit të Mjekut vitin e kaluar zbuloi se, rreth 40% e të anketuarve ndiheshin të dhunuar në ushtrimin e detyrës. Dhuna psikologjike ishte më e përhapur. Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Fatmir Brahimaj, tha se dhuna ndaj mjekëve po shfaqet me intensitet më të lartë këtë vit. Sektori i shëndetësisë është duke përjetuar një krizë morale përtej realitetit në Shqipëri.

Të dhënat e anketës për dhunën ndaj mjekëve treguan se në 5 qarqe predominon përgjigjja se ushtrohet dhunë dhe në qarqet e tjera 30% e mjekëve kanë pohuar se përballen me dhunën. Vihet re që dhuna ushtrohet kryesisht nga personat e tjerë, të specifikuar nga mjekët si: familjarë, të afërm të pacientit, nga kolegë, drejtues shërbimi/institucioni; por nuk mbeten pas edhe pacientët që kryesisht ushtrojnë dhunë verbale dhe psikologjike ndaj mjekëve. Është vënë re se dhuna ofrohet në të dy sekset, por femrat duket se janë më të ekspozuara.
Anketa ka gjetur se mjekët më të ekspozuar ndaj dhunës janë mjekët e familjes, kirurgët, pediatrit, obstetër-gjinekologët dhe mjekët e urgjencës.

Konstatohet që dhunuesit, në një pjesë të mirë janë të panjohur për mjekun që dhunohet. Raportohet për dhunues në gjendje të rënduar psikologjike, por edhe në varësi të drogave, kryesisht alkoolit. Përgjithësisht mjekët raportojnë që nuk kanë pasoja nga dhuna që ushtrohet ndaj tyre, por raportojnë edhe dëmtime të rënda, apo edhe rënie të dëshirës për të punuar, frikë, stres, pasiguri, cenim të dinjitetit.

Lidhur me ndihmën që ofron policia private, mjekët në më të shumtën e rasteve komentojnë që nuk ndërhyn, kurse Policia e Shtetit ju është përgjigjur në kohë në pjesën më të madhe të rasteve kur e kanë thirrur. Mjekët raportojnë se nuk ka koordinator të sigurisë në institucione dhe rastet e dhunës i raportojnë tek eprori, drejtuesi i institucionit ose në thirrjet e policisë; në ndonjë rast të rrallë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Mjekët shqiptarë mendojnë se janë më të paragjykuar në profesionin e tyre se sa kolegët e tyre në vendet e tjera, ndërkohë që punojnë me një ngarkesë më të madhe në pune dhe me mungesë të infrastrukturës. Anketa e Urdhrit të Mjekut evidenton se duhet një rritje të sigurisë në institucionet shëndetësore, veçanërisht në shërbimin e Urgjencës dhe Kujdesit intensiv në Spitale dhe Vendosje të kamerave të sigurisë në institucione. Në këmbim të një sigurie më të madhe mjekët kanë kërkuar vendosje të postave të policisë në spitale dhe në qendrat shëndetësore të vendosen polici private, për të ndërhyrë dhe për të menaxhuar situatat e dhunës.

Nevojat për personel shëndetësor lehtësojnë lëvizjen e mjekëve

Dr. Brahimaj thotë se lëvizja e mjekëve nga një vend në një tjetër nuk është një fenomen i ri dhe as shqiptar. Vitet e fundit, emigrimi është lehtësuar nga unifikimi i nivelit të edukimit të tyre në shumë vende (1,000 orë mësimi në vit, për 6 vite të universitetit). Gjithashtu, në fushën e mjekësisë është lehtësuar edhe njohja e titujve nga marrëveshje dypalëshe apo shumëpalëshe (brenda BE).

Mjekët duan të bëjnë mjekësi të mirë dhe këtë e garantojnë kushtet e mira të punës që në Shqipëri nuk ofrohen. Në 2010, OBSH adoptoi praktikën e rekrutimit të personelit shëndetësor.

Sot, lëvizja e tyre ka bërë që, p.sh.: spitali i Zyrihut të ketë 40% të mjekëve të rinj janë të huaj. Gjithashtu Gjermania, Britani, Belgjika po kërkojnë personel të huaj. Vendet e Lindjes kanë rënë pre e këtij procesi, ku për shkak të hendekut të lartë të pagave dhe kushteve të punës, mjekët po largohen drejt Perëndimit. Brahimaj tha se edhe Shqipëria ka rënë pre e këtij procesi, ndaj qeveria duhet të marrë masa që të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave.

Situata do të përmirësohet me rritjen e numrit të studentëve në Universitetet Mjekësore dhe në rritjen e kuotave për specializantët, të cilat ishin bllokuar për një periudhë kohe. Brahimaj tha se bërja e specializimeve të mjekëve duhet të thjeshtohet dhe duhet marrë në konsideratë rekrutimi i mjekëve të huaj në mënyrë të organizuar. Brahimaj tha se gjatë vitit të kaluar 35 mjekë të huaj kërkuan certifikatë nga Urdhri i Mjekut për të punuar në Shqipëri.

Shqipëria “pushtohet” nga sëmundjet

Periudha e tranzicionit ka ndikuar negativisht te shëndeti i popullatës për disa sëmundje si kanceri, ato kardiovaskulare dhe shëndeti mendor, prevalencat e të cilave po rriten vit pas viti, për shkak të regjimeve ushqimore të gabuara, mungesës së aktivitetit fizik dhe urbanizimit me shpejtësi të vendit.

Vitin e kaluar, 1 në 5 femra dhe 1 në 6 meshkuj të moshës 15-59 vjeç raportuan se ishin diagnostikuar me të paktën një sëmundje jo të transmetueshme (hipertensioni, neoplazma, diabeti e etj), sipas gjetjeve të anketës të përbashkët të Institutit të Shëndetit Publik dhe INSTAT për “Demografinë dhe Shëndetin” të zhvilluar në vitin 2018 te 15800 persona. Studimi i thelluar mbi gjendjen shëndetësore të popullatës evidentoi se sëmundshmëria në vendin tonë është e nëndiagnostikuar sidomos për sëmundjet kardiovaskulare dhe depresionin.

Prevalenca e sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit në vend është duke u rritur. Në vitin 2017 ato ishin përgjegjëse për 70% të vdekjeve në vend sipas të dhënave zyrtare, ndërsa në vitin 2008, këto sëmundje ishin përgjegjëse për 52% të jetëve të humbura. Trendi i hipertensionit në Shqipëri është përkeqësuar për meshkujt dhe femrat në 10 vitet e fundit.
Sipas anketës së vitit 2018, prevalenca e hipertensionit është 24.3% për femrat kundrejt 20% më 2008, për meshkujt është rritur me rreth

10 pikë përqindje në raport me 2008. Qarku i Fierit ka numrin më të madh të meshkujve me hipertension. Anketa gjeti një gjendje të rënduar të shëndetit mendor. Rreth 70% e të anketuarve pohuan se kanë kaluar një përvojë depresioni gjatë jetës së tyre. Nga këto, 13% e femrave dhe 18% e meshkujve të moshës 15-59 vjeç ishin depresiv dy javë para sondazhit.

Të dhënat e 2018-s për shëndetin e popullatës tregojnë se obeziteti është rritur më tej për femrat. Përqindja e meshkujve mbipeshë ose obezë ishte 53% në vitin 2018, e njëjtë si në vitin 2008, ndërsa përqindja e femrave mbipeshë ose obezë është rritur nga 39% në 2008 në 45% në vitin 2018.

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik pohojnë se, sfida e kohës është të zvogëlohen faktorët e rrezikut që lidhen kryesisht me ushqyerjen, dietën dhe aktivitetin fizik, duke u kushtuar vëmendje të veçantë vajzave dhe grave, teksa është vënë re rënie e lehtë e konsumit të duhanit dhe alkoolit. Studimi për shëndetin e popullatës evidentoi se shqiptarët nuk janë konsumatorë të rregullt të frutave dhe perimeve dhe nuk ushtrojnë aktivitet fizik.

Me barrën e më të lartë të sëmundjeve në rajon

Të dhënat nga portali global www.healthdata.org tregojnë se në fund të 2016-s, shqiptarët kishin barrën më të lartë të sëmundjeve në rajon, gjithashtu edhe vdekshmërinë më të lartë për çdo diagnozë. Shqipëria renditet në zonën e kuqe për vdekjet e parakohshme, të cilat ishin mbi parashikimet.

Vdekshmëria nga sëmundja ishemike e zemrës në Shqipëri është më e larta në rajonin e Europës Juglindore referuar Barrës Globale të Sëmundjeve, gjithashtu tumoret janë në rritje. Përpos shifrave të frikshme të rritjes së nivelit të sëmundshmërisë, shqiptarët kanë bërë përpara me jetëgjatësinë. Për vitin 2016, jetëgjatësia në lindje është llogaritur të jetë 76,1 vite për meshkujt dhe 79,7 vite për femrat. Në vitin 1990, jetëgjatësia për femrat ishte 71 vjeç dhe për meshkujt 67 vjeç. Por ekspertët në Institutin e Shëndetit Publik pohojnë se rritja e jetëgjatësisë lidhet me përmirësimin e nivelit të jetesës në popullatën shqiptare, por nga ana tjetër, rritja e barrës së sëmundjeve tregon për nivelin e lartë të pabarazisë dhe një nivel më të lartë të diagnostikimit.

Mjekët shpjegojnë se për sëmundjet respiratore që janë shkaktari i tretë i vdekjeve në botë, por edhe në Shqipëri, ka avancuar trajtimi, duke e rritur ndjeshëm jetëgjatësinë për të sëmurët e kësaj kategorie. Dy dekada më parë, sëmundjet e mushkërive shkaktonin vdekje të parakohshme në fillimet e moshës së tretë. Por diagnostikimi i hershëm dhe avancimi i trajtimit mjekësor bën sot që kjo kategori pacientësh të ketë jetëgjatësi më të madhe.

Por situata shihet të jetë përkeqësuar në shtimin e rasteve të kancerit. Shifrat tregojnë, se vitet e fundit ka një shtim të rasteve tumorale sidomos te moshat e reja. Ato tipologji tumoresh që ishin karakteristikë e moshave të vjetra, kanë zbritur te moshat e reja. Femrat gjithnjë e më shumë po preken nga kanceri i gjirit dhe i uterusit, ndërsa meshkujt nga prostata. Burimet nga onkologjiku pohojnë se rastet me kancer janë dhjetëfishuar vitet e fundit dhe statistikat nuk janë të sakta.

/Monitor