Sot, 20 mars, besimtarët myslimanë në Kosovë dhe në mbarë botën festojnë Fitër Bajramin, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit islam, që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Qytetarët në Kosovë e kanë nisur ditën me faljen e namazit të Bajramit në xhami, ndërsa mesazhet kryesore të kësaj feste mbeten paqja, falja dhe ndihma ndaj atyre në nevojë.

Udhëheqësit fetarë në vend kanë bërë thirrje për më shumë mirëkuptim, unitet dhe respekt ndërmjet njerëzve, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave shpirtërore edhe pas përfundimit të Ramazanit.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, u lut për maturi, drejtësi dhe një shoqëri më të bashkuar, duke theksuar nevojën për ndërtimin e vlerave të forta dhe një rini të shëndoshë.

Urime për festën kanë përcjellë edhe udhëheqësit institucionalë dhe politikë të Kosovës, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare në vend.

Fitër Bajrami festohet nga rreth 1.9 miliard myslimanë në mbarë botën, duke u konsideruar një nga ngjarjet më të mëdha fetare globale. Megjithatë, në disa pjesë të botës, veçanërisht në zonat e prekura nga konfliktet, kjo festë po shënohet nën kushte të vështira dhe pasiguri.

Pas rreth dy muajsh, besimtarët myslimanë do të festojnë edhe Kurban Bajramin, një tjetër festë e rëndësishme që lidhet me sakrificën dhe përkushtimin në besim./REL