Sanksionet e BE ndaj Kosovës që kryesisht godasin procesin e integrimit Europian i janë komunikuar qeverisë së Kosovës që prej datës 28 qershor dhe kanë sjellë reagimin e ashpër të faktorit politik në Kosovë.

Në një postim rrjetet sociale, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shkruan se sanksionet tregojnë se kryeministri Kurti është në rrugë të gabuar, ndërsa shton se largimi i tij është në interesin kombëtar.

“Sot është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie. Hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi. Mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar!”, shkruan Haradinaj në Facebook.