Ish-kryeministri Sali Berisha, nga arresti shtëpiak, ka reaguar për liberalizimin e vizave për Kosovën, e cila do të udhëtojë pa viza në zonën Shengen.

Përmes një reagimi në rrejete sociale, Berisha shkruan se kjo është një arritje për t’u përshëndetur.

Ai thekson se kjo është një goditje e merituar për atë që e cilëson si argatin e Vuçiçit.

Ndër të tjera, Berisha thotë se prej vitesh Kosova ka plotësuar çdo kriter për këtë vendim realisht historik.

“Një arritje për t’u përshëndetur

Të dashur miq, Iiberalizimi i vizave sot me 1 janar është një arritje e madhe plotësisht e merituar për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj. Prej vitesh Kosova ka plotësuar çdo kriter për këtë vendim realisht historik.

Por kjo është një goditje e rëndë dhe e merituar për argatin, puthadorin e Vuçiçit, që me urdhër të këtij të fundit do të bëhej i vetmi qeveritar në rajon dhe Europë që pafytyrësisht si armik i egër i qytetarëve të Kosovës dhe lirive të tyre kërcënonte e lobonte për anulimin e këtij vendimi dëshprimisht edhe pasi ky vendim ishte votuar në Parlamentin Europian.
Një urim të përzemërt për qytetarët e Kosovës për kartolinën më të bukur për vitin 2024 që morën sot nga BE.

Turpi mbuloftë armikun e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës, argatin e Beogradit, shqipfolsin albanofob Edivin Kristaq Rama. Rroftë Kosova!”, shkruan Berisha