Pas shkarkimit të Allain Giresse, Kosova ka zgjedhur sllovenin Primozh Gliha.
55-vjeçari rikthehet te “Dardanët”, pas aventurës në periudhën 2021-2022.
Gliha, i cili u zëvendësua nga Giresse, do ta drejtojë skuadrën përfaqësuese deri në fund të eliminatoreve të Europianit “Gjermani 2024”.
“Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar për çështje të ndryshme me rëndësi për futbollin kosovar si dhe për ecurinë e përgatitjeve për edicionin e ri të garave.
Në këtë mbledhje ndër çështjet kryesore që u diskutuan ishte zgjedhja e ekipit të trajnerëve që do ta drejtojnë Kombëtaren e Kosovës në ndeshjet e mbetura të ciklit kualifikues për Euro 2024.
KE i FFK-së vendosi që në krye të shtabit teknik të emërohet Primozh Gliha, derisa atij do t’i ndihmojnë Afrim Tovërlani, Arbnor Morina, Ahmet Beselica dhe Thomas Richards.
KE i FFK-së ka vendosur që t’ia besojë drejtimin e Dardanëve ekipit të brendshëm të trajnerëve që tashmë janë të angazhuar në ekipet kombëtare.
Ata njëherësh do të qëndrojnë në ekipet e grupmoshave që i drejtojnë, por do të jenë të angazhuar për të ndihmuar përzgjedhësin Gliha në Kombëtaren”, thuhet në njoftimin e FFK-së.