Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të rrisë në 100% taksën doganore për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja. Rritja e taksës, pason vendimin paraprak të Qeverisë për vendosjen e një takse prej 10% për prodhimet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, e cila ishte përcjellë me reagime të ashpra nga Serbia, por edhe nga Bashkimi Evropian.
Vendosja e taksës prej 100%, sipas zyrtarëve në Prishtinë, ishte një kundërpërgjigje që Kosova i bën politikës agresive të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe diplomacisë serbe te vendet e caktuara për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se vendimi hyn menjëherë në fuqi dhe të gjitha institucionet obligohen që ta zbatojnë atë. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala thotë se vendosja e taksës prej 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, me qëllim, siç thotë ai, për të “fuqizuar prodhuesit vendorë” dhe ekonominë e Kosovës.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në një postim në rrjetet sociale ka thënë se vendimi i ri i të mërkurës, bëhet për të mbrojtur interesat vitale të shtetit të Kosovës.
“Serbia po vazhdon fushatën e saj agresive kundër Kosovës në fushën ndërkombëtare. Ajo po ashtu është duke minuar procesin e normalizimit. Për të mbrojtur interesin tonë vital, Qeveria e Kosovës ka vendosur të rrisë taksën doganore 100 për qind. Masat e mëtejme do të publikohen se shpejti”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.
Serbia është importuesi më i madh në Kosovë i pothuajse të gjitha produkteve. Sipas të dhënave zyrtare, vlera e produkteve të importuara nga ky shtet vetëm brenda një viti, është rreth 400 milionë euro. Ndërkaq, importi i produkteve të Bosnjës në tregun e Kosovës, në vitin e kaluar ka arritur vlerën e 81.5 milionë eurove./REL