Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas një takimi konsultativ me partitë politike, ka caktuar datën 22 tetor 2017, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Presidenti ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale, në përputhje me vendimin e tij dhe legjislacionin në fuqi.

Përfaqësuesit e partive politike kanë preferuar që zgjedhjet komunale të mbahen brenda afatit kushtetues dhe, siç u tha, “mundësisht në një mot sa më të mirë, për të mos hyrë në stinën e dimrit”.

Zgjedhjet lokale do të mbahen në 38 komunat e Kosovës. Ato pritet të prodhojnë kryetarët e rinj të komunave dhe përbërjet e reja të asambleve komunale.

Viti 2017, po cilësohet si vit i zgjedhjeve në Kosovë. Më 11 qershor, u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare nga të cilat pritet që të konstituohet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, i cili më pas pritet ta votojë edhe formimin e Qeverisë.