Kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas publikimit të lajmeve në disa media në Kosovë se ai do të dorëhiqet.

Hoti shkruan në Facebook se informacionet të cilat po qarkullojnë nëpër media për dorëheqjen e tij janë të pavërteta.

Më tej, kreu i qeverisë së Kosovës shprehet se tashmë ka dy opsione ose zgjidhje për Presidentin ose zgjedhje të reja.

POSTIMI I PLOTË

Informacionet të cilat po qarkullojnë nëpër media për dorëheqjen time janë të pa vërteta.

Me veprimet e mia kam dëshmuar gatishmëri e përkushtim për të ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet e ngritura, duke zhbllokuar madje edhe proceset komplekse nëpër të cilat ka kaluar vendi siç ishte vendimi për vazhdimin e dialogut me parime dhe arritja e marrëveshje së 4 shtatorit në Uashington, hartimi i pakos emergjente dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike dhe masat konkrete në menaxhimin e pandemisë Covid -19.

Sa i përket zhvillimeve të fundit pas veprimeve të Dhomave të Specializuara dhe dorëheqjes së ish Presidentit Thaçi, e kam bërë të qartë se partitë parlamentare i kanë dy opsione, të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve. Por, asnjëherë në asnjë kontekst nuk e kam përmendur dorëheqjen si opsion.