Autobusët mbërritën bosh në Durrës nga qytetet e Kosovës, pavarësisht se pritej fluks këtë fundjavë të parë të ngrohtë të pranverës. Zemërimi i kosovarëve është i madh, thonë shoferët e autobusëve të Kosovës, të cilët kanë paguar për tre ditë më radhë taksën e hyrjes 11 e 30 cent në kufi.

Kjo është shumë e rëndë”, thanë shoferët nga Kosova në intervistat e tyre për “DurrësLajm”. Edhe pushuesit e paktë nga Kosova që gjenden në plazh janë mjaft të zhgënjyer nga kjo taksë. Ata thonë se Edi Rama duhet ta rishikojë këtë taksë.

Kostoja 10 euro për një veturë të Kosovës, vajtje – ardhje, është po aq e shtrenjtë sa për banorët e Kukësit, sepse Shqipëria dhe Kosova kanë pagat më ulëta në rajon. Këto taksa kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e familjeve të Kosovës dhe pritet të frenojnë jo pak ardhjen e kosovarëve në Durrës.

“Një taksë e tillë kaq e shtrenjtë nuk është as në Gjermani që ka kosto jetese të pakrahasueshme për popullin shqiptar të Kosovës dhe Shqipërisë. Taksa të ulet, në të kundërt Shqipëria do të braktiset nga vëllezërit e saj matanë kufirit, dhe kur njerëzit ikin, zor se kthehen më në atë vend”, është apeli i pushuesve.

K.H.