DURRES, 16 qershor 2013 – Sezoni turistik në Durrës, ka shtuar fluksin e pushuesve kosovarë drejt plazheve të Adriatikut, i cili për vite me rradhë pret numrin më të madh të turistëve nga trevat shqiptare.
Temperaturat e larta si dhe kushtet e përshtatshme që të ofrojnë plazhet e qytetit bregdetar përgjatë këtij muaji ka bërë që zonat turistike të mbipopullohen që në orët e para të mëngjesit.
Vizitorë të ardhur kryesisht nga Kosova, prej vitesh e kanë futur plazhin e Durrësit ndër destinacionet për të preferuara për të kaluar jo vetëm fundjavat, por edhe pushimet verore.
Krahas bukurisë natyrore, ata shprehen se në plazhet e Durrësit, gjejnë dhe ngrohtësinë vëllazërore.
Mjaft të pëlqyera për vizitorët e parë kosovarë, që kanë nisur frekuentimin e plazheve, kanë qenë motelet e restorantet e drejtuara nga patriotët e tyre ose nga shqiptare të Maqedonisë, zgjedhje kjo e diktuar nga gastronomia dhe çmimet e ofruara.
Në ditët në vijim numri i turistëve nga Kosova pritet të rritet, ku një impakt të rëndësishëm ka dhënë dhe shkurtimi i distancës nëpërmjet rrugës se kombit e cila tashmë përshkohet për vetëm 2 orë, por edhe procedurat e përshpejtuara në doganë, duke sjellë një dyndje të shtetasve kosovarë drejt plazheve të Adriatikut.
Përveç plazhit tradicional të Durrësit, pushuesit u janë drejtuar edhe plazheve të tjera, duke i mbipopulluar atë në të gjithë gjatësinë e tyre.
Ndërkaq, një ineteres të veçantë vizitorët e ardhur përgjatë fundjavës kanë treguar edhe për sitet historike e arkeologjike të qytetit bregdetar.
Amfiteatri antik, është një nga monumentet që ka tërhequr rreth vetes një numër të lartë vizitorësh.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





