DURRES, 27 shkurt 2013– Përfaqësuesja Shpresa ka humbur 0-2 në miqësoren e luajtur mesditën e sotme në Durrës, ndaj ekipit kosovar të kategorisë së parë Drenica. Kosovarët janë mjaftuar duke shënuar nga një gol për çdo pjesë për të arritur fitoren, ndërsa të përzgjedhurit e Skënder Gegës nuk mundën të realizonin një lojë të bukur në këtë përballje.

Të përzgjedhurit e Gegës kanë zhgënjyer, ndërsa miqtë, të cilët mbajnë vendin e fundit në kampionatin kosovar, përveç rezultatit bindën edhe me lojë. Kosovarët zhbllokuan rezultatin në minutën e 39-të me anë të sulmuesit të tyre kryesor Hyseni, ndërsa në të ‘50 dyfishuan me mesfushorin e tyre F. Bajraktari.

Takimi nisi mjaft i vrullshëm nga të dyja skuadrat, ku nuk kanë munguar edhe rastet për shënim. Madje kanë qenë kuqezinjtë ata që lëshuan sinjalin e parë, ndërsa bënin presion me sulmuesit e tyre Guni dhe Morinën. Ndërkohë edhe kosovarët u kundërpërgjigjen me të njëjtën monedhë. Cekaj dhe Hyseni krijonin mjaft hapësira në mbrojtjen e kuqezinjve të rinj, të cilët nuk dolën në lojën e tyre ndërkohë që kosovarët e Drenicës bënë një paraqitje mjaft të mirë.

Pas disa sulmesh të njëpasnjëshme kosovarët arritën të zhbllokonin rezultatin. Ka qenë pikërisht sulmuesi kryesor i tyre Hyseni, i cili në minutën e 39-të ndeshjes përfiton nga një gabim në mbrojtjen e kuqezinjve dhe me një goditje të saktë e dërgon sferën në rrjet. Gega nuk pranon kurrsesi rezultatin dhe urdhëron të tijët të bëjnë më shumë.

Që nga ai moment përfaqësuesja U21 krijoi disa raste me Morinën, Gunin e Hasën, por sulmet e tyre u thyen me mjaft lehtësi nga mbrojtja kundërshtare, e cila ishte vendosur mjaft mirë dhe la pak hapësira për sulmuesit e Skënder Gegës.

Pjesa e parë është mbyllur me kuqezinjtë në sulm, por gjithsesi skuadrat janë kthyer në dhomat e zhveshjes me rezultatin e vendosur nga Hyseni në minutën e 39-të; 0-1. Pjesa e dytë ka nisur me ndryshime të shumta në radhët e kuqezinjve jo vetëm në formacion, por edhe nga ana taktike.

Gega hedh në fushë pothuajse skuadër tjetër në krahasim me atë të pjesës së parë, por lojtarët përveçse ndryshuan pak nivelin e lojës, nuk mundën të bënin asgjë për të përmbysur rezultatin. Nga ana tjetër kosovarët nuk është se nxituan për të bërë ndryshime, ndërsa mendonin më seriozisht për rezultatin dhe mundoheshin të ruanin avantazhin.

Këtë radhë ishte F. Bajraktari që brenda zone nuk gabon dhe me një goditje mjaft të kalibruar bën që portieri kuqezi të detyrohet ta nxjerrë sërish topin nga rrjeta. Goli i dytë i ka demoralizuar të besuarit e Skënder Gegës dhe ua preu atyre shpresat për të dalë më një rezultat pozitiv nga kjo miqësore. 

/m.l. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/