Durrës, 18 qershor 2014 – Xhevdet Shabani është futbollisti më i ri i Teutës. Presidenti Edmond Hasanbelliu konfirmoi se lojtari nga Kosova do të jetë pjesë e Teutës. Prej ditësh është folur se klubi ka kontakte me dy futbollistë kosovarë, por zyrtarizuan njërin prej tyre, pikërisht Xhevdet Shabanin (27 vjeç), i cili vjen nga Drita e Gjilanit.
Pritet që këto ditë të mbyllen edhe disa detaje të vogla në kontratë mes palëve, në mënyrë që blerja më e re të jetë në dispozicion të trajnerit Hasan Lika, që në grumbullimin e parë më datë 1 korrik. Në lidhje me kosovarin, që pritet të bashkohet me Teutën, drejtuesit e klubit bëjnë me dije se edhe ai pritet të firmosë shumë shpejt.
Emrin e tij drejtuesit nuk e bëjnë publik, por burime pranë klubit kanë pohuar për "Dyrrah" se bëhet fjalë për një futbollist të ri. Merkatoja e bregdetarëve nuk përfundon me këta lojtarë, pasi siç është shprehur presidenti Hasanbelliu, klubi ka nevojë edhe për lojtarë të tjerë. Po studiohen me kujdes disa lojtarë njëherësh, por emrat e tyre nuk bëhen publik deri sa të mbyllen plotësisht bisedimet mes palëve.
Përveç lojtarëve të rinj, që parashikohen t’i bashkohen Teutës, klubi pritet të nisë shumë shpejt bisedimet edhe për rinovim me disa nga organika e shkuar, por edhe me ata që iu ka përfunduar kontrata. Përveç Elvis Prençit, Blerim Kotobellit, Klaudjo Hysenit dhe të rikthyerve që ishin në huazim, listës së lojtarëve të Teutës iu shtua edhe kosovari Xhevdet Shabani.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





