Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar për shkrimet në media se ajo do të përfshihej në qeverisje, si pjesë e koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. Përmes një komunikate për mediat, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka hedhur poshtë të tilla pretendime, duke theksuar se qëllimi i raportimeve në media është diskretimi i AAK dhe Ramush Haradinajt.
“Për hir të informimit të saktë, e njoftojmë opinionin publik se nuk ka asgjë të vërtetë nga pazaret imagjinare për një qeveri ku do të përfshihej AAK dhe se kjo parti, së bashku edhe me dy partitë tjera opozitare, do të vazhdojë kauzën e saj të drejtë e të vendosur në ndaljen e degradimit të mëtutjeshëm të qeverisjes së vendit, – thuhet në komunikatën e lëshuar nga AAK. – Në vazhdën e sulmeve të paskrupullta ndaj AAK dhe kryetarit të saj Haradinaj, që janë sforcuar kohëve të fundit, i shohim edhe shkrimet e fundit të gazetës “Bota Sot”, e cila përpiqet të sajojë ngjarje të paqena, duke e lidhur familjen Haradinaj me vrasje, të cilat tashmë janë zbardhur nga drejtësia dhe për të cilat janë gjetur fajtorët.”