KOSOVE– Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) ka pranuar me shqetësim lajmin për arrestimin e gazetares së gazetës “Kosova Sot”, Etleva Skonja, me urdhrin e prokurorit disiplinor Zef Prendrecaj.

Siç raportojnë mediat kosovare në kumtesë thuhet se AGPK dënon ashpër veprimin abuzues të prokurorit dhe fyerjen e keqtrajtimin nga ana e Prendrecajt, i cili para se të japë urdhrin për arrestim, ka penguar gazetaren në ushtrimin e detyrës.

“AGPK e konsideron këtë akt si shkelje të të drejtave themelore të njeriut, shkelje të lirisë së shtypit dhe demokracisë”, thuhet në reagimin e AGPK-së.

Duke sjellë ndërmend se publiku ka të drejtë të informohet për tema dhe probleme që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre, AGPK iu bën thirrje zyrtarëve të institucioneve për mosabuzim me pozitën zyrtare, transparencë dhe për sjellje konform ligjit.

AGPK kërkon që gazetarët të lihen të lirë në punën e tyre dhe të mos pengohen. Po ashtu, AGPK iu bën thirrje gazetarëve që të hulumtojnë tema në interes të publikut, pavarësisht presioneve dhe pengesave në të cilat mund të hasin gjatë punës së tyre.

Ngjarja

Sot në mëngjes me urdhër të prokurorit Zef Prendrecaj, i janë vënë prangat gazetares së gazetës “Kosova Sot”, Etleva Skonja, ndërsa ajo kishte shkuar në zyrën e Prokurorit Disiplinor për të biseduar me z.Prendrecaj në lidhje me funksionimin e kësaj zyre dhe problemet që i trajton zyra që ai e udhëheq. Gazeta “Kosova Sot” duke dënuar ashpër këtë veprim skandaloz, kërkon nga ambasadat e vendeve të Kuintit të dënojnë këtë veprim abuziv të Zef Prendrecaj.

“Konsiderojmë se kjo është një shkelje flagrante e lirisë së shtypit, është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutën e vendit dhe konventat ndërkombëtare dhe një abuzim i organeve të drejtësisë, përmes zyrtarit të papërgjegjshëm Prendrecaj”,- thuhet në reagimin e gazetës. “Kosova Sot” u drejtohet me shqetësim institucioneve kosovare duke kërkuar reagimin e tyre të mënjehershëm, ndaj këtij akti skandaloz që rrezikon pavarësinë e mediave dhe demokracinë në Kosovë.

Etleva Skonja, përpara transferimit në Kosovë, ka punuar për disa vite me rradhë si korrespondente e Durrësit për mediat vizive dhe të shkruara shqiptare si gazeta "Sot", televizioni "Vizion plus" etj.