Pas tri javësh në grevë, shkolla në Kosovë rifillon të hënën. Kjo, pas një marrëveshjeje të arritur mes krerëve të shtetit dhe Sindikatës së Arsimit, detajet e së cilës nuk janë bërë ende të ditura.
“Të gjithë punëtorëve në sistemin e arsimit u janë rritur pagat dhe, ashtu siç kemi premtuar me kryeministrin e Kosovës, do të mbajmë premtimet që të jemi afër tyre, po aq sa për të gjithë sektorët e tjerë, siç janë policia, ushtria, shëndetësia, artistët, administrata publike, kshilltarët e komunave, pensionistët dhe të gjithë punëtorët të tjerë. Në Kuvendin e Kosovës do të votojmë ligjin për pagat, i cili do të mundësojë rritjen e tyre për më shumë se 70 mijë punonjës të sektorit publik”,- tha Veseli.
Vendimi për ndërprerjen e grevës erdhi pas një takimi, që u zhvillua në kabinetin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, si dhe përfaqësuesit e SBASHK-ut.
“Qeveria e vendit është e interesuar t’iu japë përgjigje të gjitha kategorive që paguhen prej buxhetit, prej parave të popullit. E kemi edhe ndonjë sfidë aty-këtu, por unë iu siguroj se jemi të interesuar që të respektohet dinjiteti i të gjithëve në Kosovë”,- tha Haradinaj.
Prej tri javësh, arsimtarët në Kosovë kanë bojkotuar mësimin me kërkesën për rritje pagash. Ndërkohë që edhe sektorë të tjerë të vendit janë angazhuar në greva e protesta, përfshirë këtu shëndetësinë, por edhe sektorin e shërbimit civil.