Në profilin e saj në Facebook, deputetja Donika Kadaj-Bujupi, e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka postuar disa fotografi, në të cilat thekson se po përgatiste ushqimin për protestuesit opozitarë, që janë ngujuar në çadra, në Prishtinë.

Pas publikimit të fotografive nga Kadaj-Bujupi, ka reaguar kolegia e saj deputete Albulena Haxhiu, e Lëvizjes Vetëvendosje. Pas saj, edhe Besa Baftiu, po nga Lëvizja Vetëvendosje janë ofruar për të ndihmuar në gatimin e ushqimit për protestuesit.

Ndërkohë, liderit e opozitës kanë vijuar me deklaratat e tyre, ku kërkojnë pezullimin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, dorëheqjen e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohëshme. Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë thirrje që Kuvendi të mos zhvendosë vendin ku do të zhvillohet seanca, në të cilën pritet të zgjidhet presidenti i Kosovës. “Dyshohet se duan ta trafikojnë zgjedhjen e presidentit në parlament. I bëjmë thirrje pushtetit me u ndal, mos me thellu krizën. Opozita është e përkushtuar. Trafikimi i një seance është veprim i radhës i kësaj qeverie. Me këtë veprim kriza do të thellohet në vend. Do ta vazhdojnë kundërshtimin e këtij regjimi,” – ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovën, ka thënë se mënyra e re e protestës nga opozita po gjen mbështetje tek qytetarët. Sipas tij, koalicioni qeverisës po vazhdon të veprojë me logjikën e regjimeve.