“Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkojnë axhendat për të drejtat e grave në të gjitha trevat shqipfolëse,” – deklaroi në Prizren deputetja Albana Vokshi, kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, e ftuar në një takim për 26-vjetorin e themelimit të Forumit të Gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vokshi tha se, në Shqipëri dhe Kosovë, qytetarët kanë humbur besimin dhe i janë drejtuar portave të Evropës për mbijetesë.
Kryetarja e LDGSH inkurajoi partitë politikë në Kosovë të ndiqnin iniciativat e mira në drejtim të promovimit të rolit të gruas në politikat lokale. “Sfida të tjera na presin së afërmi për rritjen e kuotës së grave parlamentare në Shqipëri e Kosovë, – tha Vokshi. – Sa më shumë gra në parlament e poste drejtuese në administratë, aq më pak burra me të shkuar kriminale e precedentë penalë. Sa më shumë gra në politikë, aq më pak burra të korruptuar.”
Gjatë takimit në Prizren, përfaqësueset e forumeve të grave nga Shqipëria dhe Kosova u angazhuan për nisma rajonale të përbashkëta për të mbështetur projekte për fuqizimin e satusit të grave dhe vajzave.