27 prill 2015 – Derbi mitrovicas i zhvilluar të dielën ndërmjet Trepçës dhe Trepçës ’89 u mbyll para kohe, pasi që pranë minutës 70-të, gjyqtari kryesor i ndeshjes Bajram Gashi është sulmuar nga një zyrtar i Trepçës, pasi më parë kishte ndëshkuar me karton të kuq Bujar Idrizin.Futbollistët vendas nuk kanë qenë të kënaqur me këtë dhe vendimet e tjera të gjyqtarit kryesor, i cili pas sulmit largohet dhe futet nën mbrojtjen e kordonit të Njësisë Speciale të Policisë, së bashku edhe me gjyqtarët e tjerë të ndeshjes.Derbi i rivalëve lokalë në ato çaste i takonte Trepçës 89, që kishte kaluar në epërsi në minutën e 64-të me golin e Argjend Mustafës.Ndeshja ka qenë e tensionuar tërë kohën, me gjyqtarin Gashi që largoi nga loja trajnerin Ajet Shosholli, futbollistin korean Lee dhe ndihmësin e Shoshollit, Sheremet Isufin.Menjëherë pas golit, gjyqtari Gashi nuk ka larguar nga loja, kapitenin e Trepçës, Shpëtim Babajn, i cili ka qëlluar me bërryl në fytyrë, mesfushorin Emin Baliqi.