Përgatitjet e përgjithshme për dy ceremonitë, që janë planifikuar të mbahen më 7 dhe 8 prill, për inaugurimin e presidentit të ri të Kosovës, tashmë janë në përfundim e sipër. Më 7 prill, Kuvendi i Kosovës do të mbajë mbledhjen plenare solemne, ku presidenti i zgjedhur Hashim Thaçi do ta bëjë betimin, duke marrë kështu edhe formalisht detyrën e kryetarit të shtetit.
Ndërkaq, të premten, më 8 prill, në sheshin "Skënderbeu", në Prishtinë, do të organizohet një ceremoni festive solemne, në të cilën do të shënohet dorëzim dhe pranimi i detyrës nga presidentja Atifete Jahjaga te presidenti i ri Hashim Thaçi, ceremoni kjo që do të shoqërohet edhe me një fjalim solemn.
Mësohet se në këtë ceremoni janë ftuar mbi 1 mijë personalitete nga Kosova, përfaqësues të institucioneve qeveritare, të institucioneve shtetërore, nga bota e akademisë, artit, kulturës, sportit. Ndërkohë, janë ftuar edhe përfaqësues të vendeve të rajonit dhe nga e tërë bota, nga shtetet me të cilat kanë marrëdhënie bilaterale me Kosovën, etj.
Në Kosovë, kjo do të jetë hera e parë ku do të zhvillohet edhe ceremonia e dorëzimit dhe pranimit të detyrës nga një president te presidenti tjetër.
Pavarësisht se është ftuar, forcat politike opozitare kanë njoftuar se nuk do të bëhen pjesë e ceremonive të inaugurimit të presidentit Hashim Thaçi. Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit, më 7 prill. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka përjashtuar tërësisht një pjesëmarrje të tillë. Këtë e ka konfirmuar për mediat zëdhënësi i AAK, Muharrem Nitaj. "Ne kemi dalë nga Kuvendi dhe nuk marrim pjesë në ditën kur pritet që presidenti ta japë betimin," – ka thënë Nitaj.
Deri tani mësohet se 50 vende, delegacionet e të cilave janë ftuar në ceremoninë inauguruese të presidentit të ri të Kosovës, e kanë konfirmuar ardhjen në ceremoni.