Brenda 24 orëve në Kosovë janë shënuar dy raste të dyshuara të gripit të derrit. Kështu ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, sipas të cilit, pacientët janë hospitalizuar dhe për këto raste po pritet rezultati, transmeton “KTV”.
Përmes komunikatës bëhet e ditur se në sezonin 2015-2016 në QKUK janë raportuar 6 raste të vdekjes.
“Në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar edhe tre pacientë me gjendje të rëndë shëndetësore, prej të cilëve 1 rast pozitiv në Influencë A dhe dy raste kanë rezultuar negativ”, thuhet në komunikatën e këtij instituti, i cili ka apeluar te të gjithë drejtorët rajonalë të Shëndetësisë Publike të ngrihet niveli i vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.
Zyrtarët e IKSHP-së tërheqin vërejtjen se virusi H1N1 bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm dhe simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me gripin e zakonshëm.