KOSOVE– Një trup gjykues i përbërë prej tre gjyqtarëve të EULEX-it dhe dy vendas vendosi të kthejë për rigjykim gjashtë të akuzuar për krime lufte. Vendimi u mor nga Gjykata e Lartë e Kosovës.

Të gjashtët akuzohen bashkë me deputetin e Parlamentit të Kosovës Fatmir Limaj dhe tre të tjerë për krime lufte kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës gjatë vitit 1999 në fshatin Kleçkë të Kosovës qendrore.

Trupi gjykues miratoi sot ankesën e prokurorit të EULEX-it dhe e anuloi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, i cili i kishte liruar nga akuza Arben Krasniqin, Behlul Limajn, Refki Mazrekun, Sabit Shalën, Shaban Shalën dhe Besim Shurdhajn.

Në muajin maj të këtij viti, të gjithë të akuzuarit ishin shpallur të pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, në pjesën e parë të vitit 1999.

Vendimi për rigjykim dhe ai për mbajtjen në paraburgim të zotit Limaj nxiti shumë reagime në Kosovë përfshirë edhe protesta të ish pjesëtarëve të UÇK-së.