Qeveria e Kosovës e mbështetur nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, hapi të martën programin “Dritarja për Investime të Diasporës”, i cili synon t’u krijojë hapësirë emigrantëve të mbështesin vendin jo vetëm përmes dërgesave të parave, por edhe investimeve të drejtpërdrejta.

Nëpërmjet një fondi rreth dhjetë milionë eurosh nga qeveria dhe Fondi i Kosovës për Granci Kreditore do të garantohen kreditë për ndërmarrësit nga Kosova që jetojnë jashtë shtetit në vlerë deri 100 milionë euro.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se ky program zgjidh një nga problemet kryesore me të cilin janë përballur investitorët nga emigracioni.

“Duke qenë aktiv në shtetet ku jetojnë atje kanë pasur historik kreditor dhe bankat atje u kanë lëshuar kredi, megjithatë nuk kanë lëshuar kredi për të investuar në Kosovë pra në një juridiksion tjetër. Në anën tjetër kur kanë ardhur këtu dhe janë përpjekur të kenë qasje në financa në cilëndo bankë lokale, problemi ka qenë që si biznes i diasporës nuk kanë pasur historik kreditor në Kosovë dhe kryesisht janë trajtuar si biznese start up pa historik. Kjo ka krijuar një hendek në vlerësimin e saktë të riskut të këtyre bizneseve dhe kreditimin e tyre pa shumë burokraci dhe pa lënë shumë kapital si hipotekë”, tha zoti Murati.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky hap do të shndërrojë emigracionin nga një investitor pasiv, që e ka mbështetur ekonominë e vendit vetëm me dërgesa financiare, në një investitor aktiv që drejtpërdrejtë ndihmon zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Përveç kapitalit financiar i cili është i domosdoshëm për zhvillimin e vendit, mërgata jonë do të sjellë edhe aftësitë e njohuritë dhe kulturën e punës nga vendet ku ata jetojnë. Kjo gjë ka vlerë të jashtëzakonshme për ekonominë e vendit dhe padyshim që pasqyrohet si në planifikim ashtu edhe në administrim. Por një gjë është edhe më e shtrenjtë e që nuk mund t’i caktohet çmimi e kjo është kthimi i mërgatës tonë për të jetuar në Kosovë”, tha kryeministri Kurti.

Programi mbështetet nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, e cila do të ofroj grante për ndërmarrësit që hapin biznese nëpërmjet tij.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, shfaqi shpresën se programi do të sjellë në Kosovë kompani të reja të suksesshme që mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës.

“Nga qeveria amerikane mbështetja e këtij programi është vetëm një pjesë e përkushtimit tonë të gjatë ndaj përpjekjes sonë tashmë për disa dekada, për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovë, për të nxitur këtë zhvillim dhe për të siguruar të ardhme më të mirë për qytetarët e këtij vendi”, tha ambasadori amerikan Hovenier.

Ekspertë të ekonomisë e vlerësojnë thelbësor rolin e emigracionit të Kosovës në ekonominë e vendit posaçërisht për shkak të dërgesave financiare që vitin e kaluar arritën vlerën e 1.3 miliardë eurosh, por gjithashtu edhe për investimet në patundshmëri dhe shpenzimet gjatë vizitave në Kosovë.

Sipas të dhënave paraprake nga regjistrimi i fundit i popullsisë, rreth 600 mijë persona jetojnë jashtë vendit, por të dhënat e plota priten nga fundi i këtij viti./VOA