“Gjendja në Kosovë nuk është e mirë si rezultat i qeverisë dhe i vendimeve të gabuara, veçanërisht i dy vendimeve të fundit, dhe që janë të rrezikshme, të qeverisë “Mustafa”: bashkësinë e komunave me shumicë serbe, që është në konflikt me Kushtetutën e vendit, dhe të qëllimit të demarkacionit ose vijës kufitare me Malin e Zi,” – deklaron Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në një intervistë për median kosovare BotaPress. Haradinaj shton se ai e merr përgjegjësinë, prandaj përgjegjësia është kundërshtimi i qeverisë së tillë.

Botapress: Z. Haradinaj, proteta e 9 janarit nisi mbarë, por përfundoi me zjarr e molotov. A mendoni se eskalimi i dhunës e ka dëmtuar sadopak madhështinë e kësaj proteste?

Ramush Haradinaj: Duke e ditë në çfarë gjendje është Kosova, pra fakti që kanë ardhë protestues në atë numër të madh, pra fakti që kanë ardhë aq shumë njerëz në qytet, më kanë bërë me besu se Kosova veç e ka marrë vendimin, pra për me ndryshu për të mire gjendjen në vend. Ne i falenderojmë gjithë ata që kanë ardhë, sepse ka qenë dita e tyre. Për elementët e tjerë të prishjes së rendit, të qetësisë dhe ligjit janë organet e drejtësisë ato që merrën me këtë, e kanë fjalën e vet.

Botapress: Tashmë janë krijuar dy blloqe të forta tepër kundërshtare mes pozitës dhe opozitës. Si e shihni ju daljen nga kjo krizë?

Ramush Haradinaj: Për ne ka qenë opsion tejkalimi i gjendjes me reflektim të qeverisë. Pra, me anulu marrëveshjen. Por, meqenëse ka mungu ky reflektim, ka ardhë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, dhe prapë mungon reflektimi i qeverisë. Prandaj  ne kërkojmë dorëheqjen e kësaj qeverie, si opsion te vetëm të daljes nga kriza.

Botapress:  Jeni i njohur deri vonë si lider racional dhe institucional. Tash, si pjesë e opozitës, jeni rreshtuar me Vetëvendosjen, si lëvizje ekstreme me veprime edhe të rrugës. A mendoni se po e rrezikoni kështu traditën tuaj e të AAK, si parti politike institucionale?

Ramush Haradinaj: Unë jam i njohur si luftëtar. kur u rreziku vendi im, dhe që kam marrë pjesë në projektin e lirisë, liri e cila rrezikohet me marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave Serbe në versionin e tanishëm dhe që rrezikohet Kushtetuta, që rrezikohet territori i vendit. Ndjehem mirë në pozicionin opozitarit, së bashku me partnerët e tjerë dhe më vjen mirë që kemi mundur të gjejmë gjuhë të përbashkët, edhe pse jemi të ndryshëm, ose ndryshojmë në programe politike, sepse  ne jemi subjekt politik i djathë, por prapë kemi gjëtë gjuhën e përbashkët me i kundërshtu këto veprime të rrezikshme të qeverisë "Mustafa". Pra, është një rol opozitar që e bëj me vullnet.

Botapress:  Ka reagime të mëdha nga faktori ndërkombëtar, nga ambasadorët e vendeve mike, si: SHBA, Anglia, etj., në adresë të opozitës. Edhe ju kishit një deklaratë jo të mirë për Ambasadën e SHBA. A mendoni se kosovarët janë të gatshëm të drejtojnë vendin pa ndihmën e miqve ndërkobmëtarë, në radhë të parë pa SHBA, Anglinë e Gjermaninë?

Ramush Haradinaj: Unë nuk kam pas deklarata jo të mira për Ambasadën e SHBA. Çdo herë i kam deklarimet shumë të mira për ta e me respektin më të madh. Deklarimet e mia janë shumë të qarta. Kuptohet se pushtetarët janë në panik dhe po mundohen me shpif te miqtë, besa edhe te armiqtë, duke i thënë se opozita është e rrezikshme për Kosovën. Por, Kosova është e rrezikuar prej shkallës së lartë te korrupsionit dhe shkallës së kriminalitetit, që këta qeveritarë e kanë pru vendin në këtë derexhe. Kjo do të thotë edhe PDK edhe LDK, së bashku, janë të rrezikume prej një qeverie që mendon vetëm për vete dhe jo për vendin, që merr vendime të rrezikshme, si rasti i Bashkësisë së Komunave Serbe dhe demarkacioni. Detyra ime është në funskion të asaj që është ndërtu në Kosovë nga miqtë tanë dhe nga ne. Ne po vazhdojmë me e ndërtu Kosovën, pikërisht në frymën që kemi ra dakord me miqtë tanë, në radhë të parë ata amerikanë.

Botapress:  Me LDK e keni nisur një bashkëpunim të mirë para shumë vitesh, por tash keni krijuar një armiqësi me këtë parti. Keni inate personale ndaj Isa Mustafës apo vërejtje ndaj pozicionit politik të LDK?

Ramush Haradinaj: Çdo vendim ose veprim politik, i cilitdo subjekt, kur është i mirë për vendin tim, detyrimisht unë e respektoj. Por, kur është i keq, detyrimisht e kundërshtojmë, Ne kundërshtojmë vendimet e kryetarit të LDK, që është kryetar i qeverisë në shkuarje, e që janë të rrezikshme për vendin. Pra, kjo është diçka tepër e drejtë dhe e ndershme. Por, jo vetëm unë dhe AAK, por mendoj se edhe njerëz të LDK nuk janë dakord me "Zajednicën". Edhe ata kanë kontribu për lirinë e vendit, por nuk janë të kënaqur që, pas shumë vitesh, me iu kthy "Zajednica" në Kosovë.

Botapress: Në një rrethanë të ardhshme eventuale të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, me cilën parti do të bënit koalicion më me dëshirë, me PDK apo me LDK?

Ramush Haradinaj: Me Aleancen për Ardhmërinë e Kosovës.

Botapress: A mendoni se së shpejti do të kemi zgjedhje të parakohshme?

Ramush Haradinaj: Po! Zgjedhjet veç janë në kalendar.

Botapress: A do të pranoni rezultatin e zgjedhjeve, nëse dy partitë mazhoritare përsëri dalin të parat?

Ramush Haradinaj: Zgjedhjet janë në kalendar, qytetari do të thotë verdiktin e vet, e që do të thotë se nuk kemi drejtë ne të komentojmë se si do të votohet.

Botapress: A mendoni se ka ardhur koha për “pension” të parakohshëm të liderëve të sotëm politikë, përfshirë edhe juve?

Ramush Haradinaj: Secili, që me veprimet e veta, ka rënë në kundërshtim me interesat e vendit, me Kushtetutën, me ligjin e Kosovës, kuptohet që duhet të japë llogari.

Marrë nga BotaPress.