Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës hedh poshtë në mënyrë kategorike zërat se kjo parti mund të bëhet pjesë e qeverisë së Isa Mustafës, duke i cilësuar informata të tilla si produkte të "mediave të sponsorizuara."
Ramush Haradinaj, kryetari i AAK, në një deklaratë për mediat, thekson se "qëndrimi parimor dhe i vendosur i AAK për të kundërshtuar keqqeverisjen dhe për ta bërë opozitarizmin sipas parimeve që e udhëheqin këtë parti, i ka çuar peshë disa mediume të sponsorizuara, herë nga njëra e herë nga pala tjetër, që të fabrikojnë rrena se si AAK po hyn në qeveri."
"Ky reagim s’ka të bëjë me këto mediume e as me sponsorët e tyre, por është sqarim për opinionin publik. AAK, me asnjë çmim, nuk do të jetë pjesë e qeverisë Mustafa. Prandaj fushata e rrenave nuk do të mund ta dëmtojë më AAK sepse qytetarët po i shohin vlerat e secilit. Me këtë qeveri do të shihemi vetëm në zgjedhje, të cilat s’mund t’i ndalë kush!" – thuhet në reagimin e AAK.