Kryeministri kosovar Isa Mustafa thotë se qeveria është e përkushtuar dhe vullnetplotë për dialog të pakushtëzuar me opozitën. Mustafa tha se maxhoranca dhe opozita mund të ulen për të diskutuar, por pa ultimatume.

"Dialogu nënkupton bashkëbisedim, ta themi në gjuhën popullore. Jemi të gatshëm në çdo moment që të ulemi të bisedojmë, por të bisedojmë për problemet reale, për problemet të cilat na preokupojnë të gjithë neve, jo për tema dhe për ultimatume, sepse me ultimatume nuk mund të zgjidhen çështjet. Ne kemi thënë se nuk paragjykojmë që të ulemi e të diskutojmë," – tha kryeministri Mustafa.

Sipas një komunikate nga Kryeministria, Mustafa ka theksuar se pret që opozita do të kthehet në Kuvend. "Presim që ajo do të pranojë kërkesën dhe ofertën për dialog dhe që përmes dialogut pastaj ne mund të zgjidhim shumë nga problemet. Kemi shumë probleme në Kosovë për të cilat kemi të gjithë interes të ulemi bashkë e të diskutojmë. Deputetët tanë i kanë marrë votat nga qytetarët e Republikës së Kosovës për të përfaqësuar interesat e tyre dhe për të zgjidhur këto interesa. Këto interesa në mënyrë institucionale zgjidhen në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne nuk mohojmë të drejtën e njerëzve që të protestojnë, sepse çdo kush ka të drejtë ta bëjë atë, por, po ashtu, nuk pranojmë që protestat të jenë të dhunshme dhe që sjelljet të jenë të dhunshme në pikëpamje të realizimit të interesave politike, sepse interesat e tilla nuk kemi nevojë t’i realizojmë përmes metodave tjera, përpos metodave demokratike," – tha kryeministri Mustafa.