Vizita e sekretarit amerikan të shtetit John Kerry në Shqipëri, nga Qeveria e Kosovës shihet si një mundësi e mirë për shqiptarët në përgjithësi, por edhe për vendet e rajonit. Kryeministri Isa Mustafa tha për Top Channel se, vizita e sekretarit amerikan do të ketë efekt në thellimin e mëtejshëmm të bashkëpunimit të qeverisë amerikane me atë të Shqipërisë. “Unë e konsideroj një vizitë tepër të rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Kjo sepse flet për kujdesin që SHBA-të kanë për këtë rajon, për zhvillimin demokratik, zhvillimin ekonomik, integrimet tona euroatlantike. Por, po ashtu edhe për thellimin e miqësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me këto vende. Sa i përket Kosovës, ne jemi shumë mirënjohës për të gjithë atë, që qeveria amerikane e populli amerikan kanë bërë për ne. Kemi nevojë që të thellojmë edhe më shumë bashkëpunimin. Jemi shumë të kënaqur me rezultatet që kemi arritur kohët e fundit, lidhur me angazhimin e sektorit privat amerikan në sektorin e energjisë në Kosovë, ndaj dhe presim edhe investime të tjera. Unë e konsideroj lart dhe e vlerësoj lart përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për këtë rajon. Konsideroj se, vizita e tij do të ketë efekte në thellimin e bashkëpunimit të qeverisë amerikane me Qeverinë e Shqipërisë, por edhe me Qeverinë e Kosovës,” – kryeministri kosovar Isa Mustafa.
Marrë me shkurtime nga Top Channel





