Lëvizja Vetëvendosje ka përmbysur sot një tjetër kamion me prodhime të Serbisë, në autostradën "Ibrahim Rugova". Këtë ajo ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku thekson se "hegjemonia e Serbisë në Kosovë është e papranueshme, qoftë ajo politike, ushtarake, apo ekonomike."
"E vetmja e ardhme për të cilën do të punojmë e do të angazhohemi, është ajo e paqes me drejtësi e barazi mes vendeve. Është e papranueshme për ne që Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën, si dhe të fshehë apo të mohojë krimet gjenocidale që ka bërë këtu, në vend që të kërkojë falje e të dëmshpërblejë viktimat. Kjo Serbi që punon aktivisht kundër Kosovës, nuk mund t'i ketë dyert e hapura për prodhimet e saj. Për të pasur reciprocitet tregtar është i domosdoshëm në radhë të parë reciprociteti politik. Për këtë arsye, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje sot, në Rrugën e Kombit, e kanë përmbysur një kamion me prodhime të Serbisë. Aksione të tilla do të vazhdojnë deri sa qeveria e Serbisë të ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës dhe të mos na i mohojnë të drejtat tona kombëtare," – thuhet në postimin e Lëvizjes Vetëvendosje.