Qytetarët kosovarë, që të hënën do të jenë afër Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, do të kenë mundësinë që ta ngjyrosin monumentin “Newborn”. Në vigjilje të përvjetorit të tetë të pavarësisë së Kosovës, simboli i ditës së shpalljes së pavarësisë, “Newborn”, do të ndryshojë përsëri pamjen, duke u ringjyrosur për herë të katërt që nga vendosja e tij në vitin 2008. Fisnik Ismaili, krijuesi i monumentit, tha se edhe këtë vit ngjyrosja do të bëhet së bashku me qytetarët.
“Ngjyrosja ka me ndodh dhe ka me shpreh, apo ka me përku, si çdo vit me situatën nëpër të cilën Kosova po kalon,” – tha Ismaili, i cili tani është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje. Ngjyrosja do të përfundojë në mbrëmjen e 16 shkurtit.
Në vitin 2014, lyerja e “Newborn” me ngjyrat ushtarake të kamuflazhit solli pak debat, pasi disa mendonin se kjo kishte qenë keqpërdorim i simbolit të kombit të ri. Instalacioni metalik me shkronja, i vendosur para Pallatit të Rinisë në Prishtinë eshte zbuluar pikërisht në Ditën e Pavarësisë, më 17 Shkurt 2008.