Kosova dhe Serbia nesër në Bruksel zhvillojnë raundin e radhës së dialogut në nivel të lartë kryeministror, që është i pari për këtë vit. Dialogu Beograd-Prishtinë synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Nga zyra e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikën e jashtme Federica Mogherini është bërë e ditur se në takimin e kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë do të diskutohet zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tani dhe hapat e mëtejshëm në kuadër të dialogut.

Isa Mustafa dhe Aleksandar Vucic nuk do të diskutojnë marrëveshje të re, pasi të dyja palët kanë mandat politik të dyshimtë. Në Servi do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe, deri pas zgjedhjeve, Beogradi nuk do të hyjë në marrëveshje të reja. Ndërkohë, në Kosovë ka dyshime se si do të veprohet me marrëveshjen për formimin e bashkësisë së komunave serbe.