Nëse presidenti i Kosovës nuk zgjidhet deri më 7 mars, atëherë Kuvendi shpërndahet dhe vendi, sipas Albert Krasniqit, nga Kosova Democratic Institute, shkon në zgjedhje të parakohshme.

“Nga sot kanë mbetur edhe 14 ditë, deri në afatin e fundit, kur Kuvendi duhet të zgjedh presidentin. Pra nëse nisin procedurat në një prej këtyre ditëve dhe konsumohen të tri raundet e votimit dhe Kuvendi nuk arrijnë të zgjedh presidentin, atëherë në atë rast shpërndahet Kuvendi dhe brenda 45 ditëve, duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme të cilat shpallen me dekret të presidentes”, ka thënë Krasniqi.

Pra duhet të mbahen të tri raundet e votimit në mënyrë që të shkojmë në zgjedhje, ka thënë Krasniqi, teksa ka përmendur edhe një tjetër argument se si mund të shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme.

“Nëse Kuvendi nuk inicion fare procedurat për zgjedhjen e presidentit, apo inicion procedurat, por nuk arrin që të konsumojë këto raunde të votimit dhe vjen deri tek data 7 mars, atëherë edhe në këtë rast Kuvendi shpërndahet dhe mbahen zgjedhjet e parakohshme brenda 45 ditëve”, tha Krasniqi.

Megjithatë Krasniqi thotë se ende ka kohë të mjaftueshme që presidenti të zgjidhet në mënyrë të rregullt.
“Ka kohë të mjaftueshme që të bëhet në mënyrë të rregullt zgjedhja e presidentit. Mundet një raund i votimit të konsumohet në njërën prej seancave të ardhshme dhe pastaj raundi i dytë dhe i tretë, të lihet për një situatë të mëvonshme. Apo mund që tri raundet të konsumohen brenda një ditë te vetme, nuk ka kufizime në këtë aspekt”, tha Krasniqi.