Në Kosovë ka nisur procesi i rinumërimit të votave për komunat e Dragashit dhe Rahovecit. Sipas njoftimeve të fundit, do të rinumërohen 35 vendvotime për Komunën e Dragashit, e 3 vendvotime për Komunën e Rahovecit.
Procesi vjen vetëm një ditë pasi Gjykata e Lartë e Kosovës pranoi kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe refuzimin e forcave të tjera politike që kërkonin rinumërim të votave në Prishtinë dhe Prizren.
Pasi të ketë mbaruar ky rinumërim në këto dy komuna do të nisë edhe numërimi i votave me kusht dhe atyre me postë, për dy komunat ku u bë lufta më e ashpër, Prishtinën dhe Prizrenin.
Brenda ditës së sotme, në Kosovë do të mësohet edhe se cilët do t’i qeverisin këto dy komuna, nëse do t’i mbeten Vetëvendosjes, apo do të ketë përmbysje rezultati.