Opozita kosovare kërkon interpretim kushtetues të zgjedhjes së Hashim Thaçit në postin e presidentit. Tre deputetë të partive opozitare e kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Hashim Thaçit në postin e presidentit të Kosovës. Aida Dërguti, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se zgjedhja e Thaçit në postin e kreut të shtetit ka qenë “jo legjitime dhe është përcjellë me parregullsi”.

“Ne kemi parë shumë përgjigje të ndryshme nga Gjykata Kushtetuese dhe shumë herë jemi ndier të pakënaqur por sidoqoftë kemi vendosur që të ndjekim deri në fund rrugën institucionale,” – tha Dërguti duke iu referuar disa kërkesave për interpretim kushtetues që janë bërë deri më tani nga subjekt politik.

“Në kërkesën që po dërgojmë një ndër pikat është numri i deputetëve të cilët kanë qenë prezentë. Një ndër kriteret ka qenë 120 deputetë në sallë e ne kemi një deputet e që ka dorëzuar mandatin, por që nuk është zëvendësuar,” – tha Dërguti. Deputeti i Aleances per Ardhmerine e Kosoves, Ramush Haradinaj, kishte dorëzuar mandatin e deputetit një javë para se të votohej presidenti.

Parashtruesi i kërkesës në emër të AAK, Bali Muharremaj, tha se “nuk ka ndodhur asnjëherë që deputetët e parlamentit të Kosovës të nxirren jashtë zvarrë.” Ndërsa duke folur për argumentet e paraqitura, Enver Hoti nga Nisma per Kosoven u shpreh i bindur se rasti i tyre do të fitojë në gjykatë. “Jemi të bindur se nëse vlerësohet përmbajtja e kësaj lënde që dërguam e jo emrat e përveçëm, mendoj se Presidenti do ta ketë fatin e presidentëve tjerë,” – tha Hoti.

Në historikun e vet gati tetëvjeçar, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dy presidentë.