Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një njoftimi për media, ka radhitur disa nga shkeljet kushtetuese që mund të jenë bërë me rastin e votimit të Hashim Thaçit president. "E para, Hashim Thaçi mund ta ketë shkelur Kushtetutën menjëherë pas zgjedhjes, sepse nuk ka bërë dorëheqje publike nga postet e mëparshme, siç e parasheh Kushtetuta. Ai këtë e ka bërë me disa ditë vonesë, dhe në një rast të tillë ka bërë shkelje të Kushtetutës. Kushtetuta nuk parasheh shkelje të mëdha ose të vogla," – thuhet në njoftim.
Më tej, AAK ka theksuar se, në rastin e dytë, Hashim Thaçi është votuar në një parlament i cili nuk i ka pasur 120 deputetë, por 119. Me Kushtetutën e vendit thuhet se vendi i zbrazët në parlament duhet të plotësohet menjëherë, dhe kjo gjë nuk ka ndodhur. Pas dorëheqjes së deputetit Ramush Haradinaj, presidentja e vendit ka kërkuar nga KQZ që ta certifikojë Ali Berishën në vendin e zbrazët me disa ditë vonesë dhe pas votimit të presidentit.
"E treta, kryetari i Kuvendit nuk ka raportuar se sa deputetë mungojnë në seancën e votimit të presidentit, sa prej tyre janë të përjashtuar, sa prej tyre mungojnë pa arsye dhe sa prej tyre mungojnë me leje, nëse ka pasur të tillë. Në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, në “Rastin Pacolli”, thuhet se të 120 deputetët e Kuvendit duhet të jenë në sallë, përpos atyre që janë liruar me arsye dhe me leje të kryetarit të Kuvendit. Në rastin e votimit të Hashim Thaçit president, nuk është zbatuar as kjo normë e përcaktuar me interpretim të Gjykatës Kushtetuese. E katërta, nuk është plotësuar kushti i një kundërkandidati për president, ku Rafet Rama, i propozuar nga kryetari i Kuvendit dhe i arsyetuar nga deputetja Ganimete Musliu, qysh gjatë seancës ka rezultuar të jetë farsë," – thuhet më tej në njoftim.
Dhe së fundi, pushimet e pajustifikueshme ndërmjet raundit të parë, të dytë dhe të tretë të votimit kanë krijuar një hapësirë dyshimi se janë bërë me qëllim të ndërhyrjes në vullnetin e deputetëve për të votuar, sepse ka pasur një ndryshim të madh nga rezultatet e votimit të parë me atë të votimit të tretë.
"Të gjitha këto do të duhej të ishin arsye të mjaftueshme që çështja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese," – thuhet në fund të njoftimit.