Opozita kosovare, e përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, ka vendosur të refuzojë ftesën e presidentes Atifete Jahjaga për të biseduar me mazhorancën, me qëllim që të zgjidhet ngërçi politik ku është futur vendi.
Megjithatë, opozita refuzimin e ka lidhur me paqartësinë e asaj që pritet të diskutohet.
Frashër Krasniqi, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për mediat se “thirrjes së presidentes për të dialoguar e për t’i dhënë zgjidhje situatës së tensionuar politike në vend nuk do t’i përgjigjet as Lëvizja Vetëvendosje dhe as partitë e tjera opozitare.” Më herët, Nisma për Kosovën kishte deklaruar se do të merrnin pjesë në tryezën e thirrur nga presidentja Jahjaga vetëm nëse do të diskutohej për zgjedhjet e parakohëshme.