Partitë politike opozitare në Kosovë kanë hequr dorë nga protesta e paralajmëruar për nesër. Vendimi është kumtuar nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe ai i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj. I pranishëm në këtë deklaratë për mediat ishte edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.
Haradinaj tha se protesta është shtyrë për një datë të pacaktuar. Mes tjerash, ai ka thënë se vendimi është marrë pas konsultimeve mes tri partive në opozitë. "Duke e ditur që Kosovën po e presin ditë të rënda e të vështira, që kapja e shtetit është thelluar, që problemet që vijnë nga marrëveshjet e gabuara vetëm sa po e rëndojnë Kosovën, pra tash këtu kemi edhe komisionin ndërkombëtar për shënjimin e vijës kufitare, ne të vendosur t’i kundërshtojmë këto procese, kemi marrë vendim që protestën e paralajmëruar për të shtunën ta shtyjmë për një datë tjetër," – ka deklaruar Haradinaj.