Pejë, 21 mars 2014 – Dy persona kanë humbur jetën dhe 7 të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri në afërsi të hotelit “Gold” në Pejë. 

Drejtori i Spitalit të Pejës, Skënder Dreshaj ka konfirmuar për mediat kosovare se dy persona kanë mbërritur të vdekur në spital, ndërsa shtatë të tjerë janë plagosur, por janë jashtë rrezikut për jetën. 

Njëri prej viktimave është identifikuar si Nexhdet Kelmendi, i njohur me nofkën Lara, ndërsa personi tjetër që ka humbur jetën dyshohet se po kalonte rastësisht në rrugë, kur është qëlluar për vdekje me disa plumba. 

Shkaqet e përleshjes së armatosur nuk dihen ende, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur ngjarjen.