Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa prej komunave, në Kosovë. Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka njoftuar se dëmet e shkaktuara nga vërshimet e ujërave janë të mëdha. Megjithatë, masa e dëmeve do të mund të mësohet vetëm pasi ato të jenë vlerësuar nga komisionet e posaçme që do të ngrihen.

Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, në Kosovë, ka bërë të ditur se, nga vërshimet e një dite më parë komunat që më së shumti të prekura dëmtuar janë ato të Malishevës, Suharekës, Lipjanit, Shtimes dhe Gjakovës.

Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se, pavarësisht uljes së nivelit të reshjeve, rreziku nuk ka kaluar, pasi gjatë tri ditëve në vijim prurjet dhe niveli nëpër shumicën e lumenjve do të karakterizohet nga një rritje graduale. Pritet që niveli i prurjes së lumenjve të fillojë të bjerë vetëm pas datës 10 janar.

Në një njoftim të lëshuar nga qeveria e Kosovës mësohet se kryeministri Isa Mustafa ka kërkuar nga mekanizmat kompetentë të sigurisë dhe emergjencave që të koordinohen me autoritetet lokale dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të tejkaluar këtë situatë dhe për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve.