Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka njoftuar se ka nënshkruar një vendim të rëndësishëm që lidhet me ndërtimin e një fabrike për prodhimin e municioneve. Vendimi është bërë i ditur pikërisht kur shënohet Dita e Forcës në Kosovë.

Kryeministri Kurti bëri të ditur se do të themelohet një komision ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe një laborator mbi dizajnimin e mjeteve fluturake pa pilot në Republikën e Kosovës.

Për këtë çështjen në fjalë NATO është pyetur nga mediet e Kosovës për të marrë qëndrimin e tyre, por Aleanca Veriatlantike nuk deshi të komentojë këtë vendim të Qeverisë së Kosovës.

“Ju referojmë te institucionet në Kosovë, për çdo koment”, – ka thënë një zyrtar i NATO-s.

Kurti ndërkaq, deklaroi sot se “një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo e jona, ka nevojë për ta siguruar edhe garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë në tërësi”.