Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 27 personave për shkak se ishin marrë me kontrabandim të migrantëve, raporton REL. Sipas njoftimit të prokurorisë, të 27 të pandehurit kanë bashkëpunuar për të kontrabanduar më shumë se 700 persona, kryesisht sirianë, nga Shqipëria për në Kosovë.

Më pas, sipas Prokurorisë Speciale, të pandehurit u kanë mundësuar migrantëve kalimin e tyre në Serbi, pasi ata synonin shtetet evropiane. Që nga viti 2015, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë shndërruar në qendër transiti për personat që ikin nga Lindja e Mesme dhe Afrika dhe që synojnë të arrijnë në shtetet e Bashkimit Evropian.

Kosova ka qendra për pranimin e emigrantëve, por shumica e tyre e përdorin këtë shtet si transit për në BE.