27 dhjetor 2014 – Prishtina do të ketë stadiumin e saj të gjithin të ri brenda disa vitesh. Me ndryshimin e qeverisë në Kosovë ndryshojnë edhe objektivat dhe këtë e bën të ditur Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala. Në takimin e zhvilluar me gazetarët, ministri theksoi se do të takohet me kryetarin e Komunës për të diskutuar rreth projektit për ndërtimin e një stadiumi të ri me parametra ndërkombëtarë. Momentalisht, fondet për studimin e fizibilitetit janë caktuar.
Ndër të tjera, Shala theksoi se aktualisht qeveria do të lëvrojë rreth 8 milionë Euro për të mbyllur të gjitha projektet e nisura në sport. Stadiumi aktual i Prishtinës po shkon drejt degradimit për shkak të mungesës së investimeve që prej shumë vitesh. Ndeshjen e parë miqësore në arenën ndërkombërare, Kosova e zhvilloi në stadiumin e rikonstruktuar të Mitrovicës "Adem Jashari", i cili do të presë edhe për shumë kohë skuadrën kosovare. Infrastruktura sportive në Kosovë është një nga më të dobëtat në rajon, prandaj qeveria e re kërkon t'u japë një hov të ri punimeve në disa prej objekteve më të rëndësishme ku përfshihet edhe stadiumi i ri i Prishtinës ku kombëtarja do të zhvillojë ndeshjet e shtëpisë në të ardhmen.





