Personalitetet kosovare Rexhep Qosja dhe Adem Demaçi janë kandidatë për marrjen e çmimit Nobel, i pari në fushën e letërsisë dhe i dyti për paqe. Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptarë, teksa ka shpallur kandidatët, ka deklaruar se “Demaçi dhe Qosja kanë lënë gjurmë në historinë e popullit shqiptar.”
Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptarë e ka inicuar këtë proçedurë me ndihmën e tre universiteteve, në Francë, Angli dhe Izrael.
Çfarë është dhe kush e jep çmimin Nobel
Çmimi Nobel është një formë stimulimi dhe mirënjohje për arritjet në fusha të ndryshme të përpjekjeve të njerëzimit, i cili u themelua bazuar në testamentin e shpikësit suedez Alfred Nobel, në vitin 1895.
Çmimi Nobel jepet nga institucione të ndryshme, në Norvegji dhe Suedi. Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë akordon çmimin Nobel në fizikë, kimi, dhe ekonomi. Ndërkohë, Asambleja e Nobelit e Institutit Karolinska në Suedi akordon çmimin Nobel në mjekësi. Çmimi Nobel për paqe e akordon Komiteti i Nobelit, në Norvegji, ndërsa çmimin Nobel në letërsi e akordon Akademia Suedeze, në Suedi.
Secili institucion fillon që në muajin shtator mbledhjen e kandidaturave, duke përdorur më shumë se 3 000 bashkëpunëtorë, të cilët luajnë rolin e propozuesit. Më 31 janar, propozimet mbyllen dhe fillon proçesi i përzgjedhjes së fituesit. Pas shpallljes së emrit, i gjithë dokumentacioni arkivohet dhe konsiderohet sekret për 50 vitet e ardhshme.