Dy persona kanë mbetur të plagosur në Kosovë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri gjatë pasites së sotme.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00, në rrugën ”Mon Balaj” në Prishtinë.

Sipas njoftimit të policisë, dy personat kanë marrë lëndime dhe janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Njoftimi i policisë:

“Rreth orës 16:00, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Mon Balaj” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se dy persona kanë marrë lëndime dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Policia në mënyrë aktive po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të sqarimit të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen si dhe identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave që dyshohet të jenë të përfshirë në rastin në fjalë”, njofton policia.

Lidhur me rastin policia tha se janë identifikuar dy persona si autorë të dyshuar, njëri prej të cilëve tashmë është arrestuar, në lidhje me të shtënat me armë në rrugën “Mon Balaj” në Prishtinë. I dyshuari tjetër është në kërkim.

Gjithashtu është sekuestruar një makinë  që dyshohet se është përfshirë në rast.

 “Ndërlidhur me rastin e mësipërm , veprimet e shpejta operativo hetimore të policisë  kanë rezultuar me identifikimin e dy personave të dyshuar të përfshirë në rast. Pak kohë pas ngjarjes njëri nga ta është arrestuar nga ana e policisë, ndërkaq tjetri është ende në arrati. Po ashtu është identifikuar edhe një veturë e përfshirë e cila është sekuestruar nga policia”, njofton policia.