Shoqata për Telekomunikim Financiar Ndërbankar Mbarëbotëror (SWIFT) ka caktuar një kod të veçantë shtetëror për t’u përdorur në lidhje me identifikimin e institucioneve financiare të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, mbi bazën e këtij kodi të veçantë shtetëror, SWIFT-i ka nisur procesin e krijimit të kodit të identifikimit ndërkombëtar – BIC të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) dhe të lidhjes së saj në sistemin e SWIFT-it.
“Do të bëhet edhe riemërtimi i kodeve të identifikimit ndërkombëtar të bankave komerciale vendore të lidhura në sistemin e SWIFT-it në bazë të kodeve të shteteve të huaja si dhe do të mundësohet lidhja në sistemin e SWIFT-it edhe e bankave të tjera komerciale vendore”, thuhet në një njoftim të Bankës Qendrore të Kosovës.





