TIRANË, 9 korrik 2013 – Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, Njazi Kosovrasti deklaron se është kërcënuar në telefon, pas deklaratave në Komisionin e Zgjedhjeve lidhur me rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës.
Njazi Kosovrasti bën të ditur se në telefonin e tij kanë mbërritur dy mesazhe kërcënuese, nga persona ende të paidentifikuar.
“Kam marrë mesazhe kërcënuese për familjen. Kërkoj ndërhyrjen e autoriteteve. Pavarësisht kërcënimeve do të them mendimin tim .”- deklaroi Kosovrasti.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së kërkoi sot që Komisioni Zgjedhor të marrë një vendim për hapjen e 10 kutive të votimit të ZAZ-së nr. 13, qarku Lezhë, pas konstatimit për ndryshim të shifrave në tabelat e rezultateve për disa subjekte politike.
Diskutimi i rezultateve të qarkut Lezhë u shoqërua me debate të forta në mbledhjen e sotme të KQZ-së, pas konstatimit se për 10 QV, KZAZ nr. 13 ka dorëzuar fotokopjet e tabelave përfundimtare dhe jo ato origjinale. Në këtë situatë KQZ nuk mund të nxjerrë një rezultat përfundimtar për këtë qark, pasi ai nuk mund të dalë nga tabelat e fotokopjuara.
Në këtë kuadër, Kosovrasti e cilësoi këtë situatë një ngjarje shumë të rëndë dhe një manipulim të shëmtuar dhe përgjegjësit duhet të përgjigjen ligjërisht
"Ky manipulim ka ndodhur nga tre personazhe me detyrë në KZAZ-në nr. 13, kryetarja Alketa Hoxha, përfaqësuese e PS-së, që ka qënë dhe dorëzuese e materialit në KQZ, e shoqëruar nga sekretari i komisionit, Aleksandër Gjonmarkaj(PD) dhe nënkryetari Gjovalin Gjeloshi(PD). Këta të tre janë manipulatorë dhe duhet të jenë pjesë e një gjykimi që duhet të vazhdojë me vendimmarrjen e KQZ-së", u shpreh Kosovrasti.
Nga ky manipulim, vijoi ai, favorizohet subjekti PS dhe bashkë me të koalicioni i majtë.
Përfaqësuesi i PD-së tha se nga informacioni i mbërritur elektronikisht në KQZ rezulton se shumatorja e votave për koalicionin e majtë në 248 QV të qarkut Lezhë është 38. 270 vota, ndërsa koalicioni i djathtë ka marrë 38.555, ose 285 vota më shumë se i pari.





