Brazil, 14 qershor 2014 – Kosta Rika e filloi duelin me Uruguain me formacion defanziv 5-4-1, por kjo nuk do të thoshte se ata nuk e kishin ndërmend të sulmonin.
Skuadra e selektorit Jorge Luis Pinto realizoi befasinë më të madhe deri më tani në Kampionatin botëror në Brazil duke mposhtur Uruguain me rezultat 3:1, në ballafaqimin e xhiros së parë në Grupin D.
Ashtu siç pritej, Luis Suarez nuk ishte në formacionin bazë të Uruguait pasi ende nuk është në formën ideale fizike pas operacionit që iu nënshtrua në prag të fillimit të Botërorit. Selektori Oscar Tabarez e filloi takimin me dyshen sulmuese Edinson Cavani dhe Diego Forlan.
E në fakt gjithçka filloi mbarë për Uruguain që kaloi në epërsi në minutën e 24-të me golin e Cavanit nga penalltia. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e lehtë të Uruguait.
Mirëpo, ajo e dyta solli një rrjedhë të papritur të lojës. Uruguai nuk e administroi lojën dhe nuk u duk fort i interesuar për të shënuar golin e dytë dhe kjo i kushtoi shtrenjtë. Pas disa kërcënimeve, Kosta Rika e mori shpërblimin e merituar.
Joel Campbell e barazoi rezultatin në minutën e 54-të. Kurse, vetëm tre minuta më vonë, Oscar Duarte e kaloi Kosta Rikën në epërsi me golin e tij me kokë që nuk i dha asnjë shans për reagim portierit Fernando Muslera.
Dhe, kur Uruguai filloi të insistonte më tepër në sulm në kërkim të golit të barazimit, Kosta Rika ia dha goditjen përfundimtare, duke realizuar nëpërmjet rezervistit Marco Urena, menjëherë pas inkuadrimit të tij në lojë në vend të Bryan Ruiz në minutën e 83-të.
Uruguai e mbylli ndeshjen me dhjetë futbollistë pas përjashtimit të Maximiliano Pereira në minutat shtesë.
Ndihmë nga Suarez
Uruguai tani është në një pozitë të vështirë dhe të papritur për kualifikim nga Grupi D. Andaj, skuadra e selektorit Oscar Tabarez do të ketë nevojë për ndihmë nga sulmuesi Luis Suarez.
Ylli i Liverpoolit u ngroh jashtë fushës, por nuk u inkuadrua në lojë edhe pse Tabarez shfrytëzoi të tri zëvendësimet.
Mirëpo, duke konsideruar situatën e skuadrës, ai me siguri se do të luajë në duelin e radhës kundër Anglisë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





