25 shtator 2015 – Premiera e ardhshme e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit titullohet “Kostandin” dhe mbështetet mbi legjendën e njohur shqiptare të Kostandinit dhe Doruntinës.
Projekti i paraqitur disa muaj më parë nga Laert Vasili për të sjellë në skenë “besën shqiptare” ka fituar edhe mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës.
Drejtori i teatrit Bashkim Hoxha, tha se provat në tavolinë do të fillojnë ditën e hënë dhe shfaqja do të vihet në skenë nga regjisori Laert Vasili, i cili gjithashtu ka dramatizuar edhe materialin letrar.
Sipas drejtorit Hoxha, regjisori ka përzgjedhur të njëjtin grup aktorësh të teatrit të Durrësit, me të cilët një vit më parë krijoi shfaqjen “Elektra”.
Premiera “Kostandin” pritet me shumë interes jo vetëm për temën dhe dramaturgjinë shqiptare, por edhe për cilësitë regjisoriale të Laert Vasilit, i njohur më parë për paraqitjet aktoriale në teatër dhe kinematografi.
Premiera “Kostandin” do të shfaqet në fillim të muajit nëntor.
/portali DurresLajm/