DURRËS, 7 nëntor 2014–  Kostandin Xhuvani është braktisur nga të gjithë. Në Gjykatën e Tiranës, ku u paraqit për t’u njohur me masën e sigurisë "arrest me burg", nuk ishte asnjë nga familjarët e tij. Majde as motra dhe halla që kanë qenë familjarët e vetëm që e kanë vizituar në policinë e Tiranës, ku qëndron prej të martës. Nuk është paraqitur as avokati që e ka mbrojtur në të trija shkallët e gjyqësorit për vrasjen e parë, atë të Alfred Musabelliut. Kostandin Xhuvani ka pyetur se ku ishte avokati Ardian Leka, por nuk ka marrë përgjigje. Atij i është caktuar një avokat, (Violen Çoniku) pasi familja nuk i ka paguar avokat tjetër. Edhe avokati Çoniku u shfajësua përse e kishte marrë përsipër të mbronte një person që akuzohet për kryerjen e 4 vrasjeve. Ai tha se do ta mbrojë për t'i siguruar një proçes të drejtë, ndërsa shpjegoi se i kishte kërkuar klientit të tij që të mos jepte shpjegime në këtë seancë. Xhuvani u paraqit edhe brenda hekurave të sallës së gjyqit me pranga në duar, siç nuk ka ndodhur më parë me ndonjë tjetër të akuzuar për krime të rënda. Atij iu hoqën prangat vetëm pasi ky fakt iu vu në dukje kryesuesit të seancës nga gazetarët e pranishëm në sallë. 26 -vjeçari nuk foli gjatë seancës, përveçse kur është përgjigjur për gjeneralitetet.

/lapsi.al/