Jakup Krasniqi, dikur një nga udhëheqësit e rezistencës me armë ndaj masakrave serbe, në Gjykatën e Hagës u përlot teksa avokatët e Hashim Thaçit jepnin të dhënat mbi masakrat në vendlindjen e tij.

Pas katër orëve të fjalës së mbrojtjes, ish-kryeministri dhe ish-presidenti i pas luftës, Hashim Thaçi, në rreth 13 minuta paraqiti një fjalim sa revoltues dhe kundërshtues, duke e nisur me momentin kur u kthye në Kosovë.

“Jam gati të përballem me këtë sfidë të re, dhe të kem sukses për familjen time, popullin tim e vendin tim. Rruga jonë drejt lirisë ishte e gjatë dhe e vështirë, isha student në Zvicër kur u masakrua familja Jashari në mars të vitit 1998. Si shumë shqiptarë nga diaspora edhe unë u ktheva për të ndihmuar vendin tim dhe iu bashkova rezistencës për liri në Kosovë.”

Procesin e quajti si çmim të lirisë, por theksoi se pa luftën e UÇK sot nuk do të kishte Kosovë.

“Kushdo që të ishte në vendin tonë do të kishte bërë të njëjtën gjë kur t’iu hiqej liria. UÇK-ja përbëhej nga njerëz të thjeshtë, vullnetarë, që përpiqnin të mbronin shtëpinë, e vendbanimet e tyre. Ata luftuan dhe shumë vdiqën trima e hero. Ky ishte çmimi i lirisë. Mijëra familje humbën të dashurit e tyre. Me qindra masakra të kryera nga Serbia”, tha ish-presidenti.

Shqiptarët nuk e donin luftën, por ishte sulmi serb që detyroi reagimin.

“Qytetarët e Kosovës nuk donin luftë, ishin të përcaktuar për paqe. Lufta iu imponua. Ata bënë atë që do të bënte çdo popull liridashës për të mbrojtur vendin e tyre. Ne Kosova, ishim në anën e drejtë të historisë. Prandaj jam i lumtur që populli i Kosovës jeton i lirë e i pavarur me të drejta të barabarta me të gjithë qytetarët e saj”, tha ai.

Akuzave se ka përndjekur kundërshtarët politik në periudhën e luftës, iu përgjigj me keqardhjen që vetë ish-presidenti Rugova nuk ishte mes tyre për ta mbrojtur.

Ndaj kërkoi që mashtrimet të mos përkthehen në çështje.

“U kërkoj të gjithëve të keni parasysh se mbamendja 25 vjet më parë është e mjegulluar. Realiteti po ngatërrohet me opinione e agjenda të ndryshme. Spekulimet po shndërrohen në fakte. Gjithashtu emocionet, motivet apo mllefet politike të secilit do akter politik nuk duhet të kuptohen si fakte në këtë sallë. Kjo vlen edhe për disa botime apo opinione të pasluftës, të ekzagjeruar apo të përshtatura të akterëve të ndryshëm të luftës. Si në çdo shoqëri demokratike edhe tek ne jo çdo bashkëluftëtarë ka qenë edhe bashkudhëtarë apo bashkëmendimtarë në proceset politike të pasluftës”, deklaroi ish presidenti kosovar.

Thaçi nënvizoi se jo çdo bashkëluftëtar ka qenë bashkëudhëtar pas luftës, por dhe një herë sqaroi se hetimi i mëparshëm ka rrëzuar dyshimet për trafik të organeve dhe Shtëpinë e Verdhë.

“Kur raporti i Dick Martyt para 13 vitesh mbushi titujt e mediave ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafik organesh nga UÇK-ja dhe nga unë, unë menjëherë i kërkova bashkësisë ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur. Bashkësia ndërkombëtare më tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafik organesh, dhe se shtëpia e verdhë nuk kanë ekzistuar kurrë. E dimë se edhe unë edhe UÇK-ja edhe populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Kjo sakrificë ia ka vlejtur”, deklaroi Thaçi.